Padia e LSI, Tavo: Komiteti ”politik” i ekspertëve u mohoi të drejtën e votës 3500 qytetarëve

Lëvizja Socialiste për Integrim, kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë Dropull dhe në të gjithë qarkun Gjirokastër. Vangjel Tavo, i cili ishte edhe drejtues politik i LSI-së për 25 prillin në këtë qark, tha se vendosja e karantinës dy javore për personat që do të vinin nga Greqia dhe RMV-ja, është bërë enkas për të ndaluar votuesit potencialë që mund të vinin nga Greqia për të votuar në qarkun e Gjirokastrës. Po ashtu Tavo dha si argument faktin që karantina dy javore u hoq pa kaluar ende dy javë nga momenti kur u vendos, pra, pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve.

”Vendim totalisht politik, i marrë katër ditë para zgjedhjeve. Është vendosur karantinimi i 14 ditë ndërkohë që sapo mbaruan zgjedhjet, pa kaluar ende 14 ditët e karantinimit, Komiteti Teknik, politik gjithmonë, që të hiqet karantina për të ardhurit nga Greqia dhe RMV, ndërkohë e kam theksuar që në momentin që vendosën karantinën se nuk ka asnjë lloj justifikimi teknik dhe shkencor, pasi në momentin që është vendosur kjo karantinë, gjendja epidimiologjike e këtyre dy shteteve ka qenë më e mirë se sa kur u hoq karantina”, tha për ”EuroNews Albania”.

Sipas tij, qëllimi i vendosjes së karantinës ka qenë ndalimi i personave që do të vinin nga Greqia në Gjirokastër për të votuar. Sipas tij, në qarkun e Gjirokastrës nuk u arrit të bëhej vlerësimi realist i rezultatit të zgjedhjeve. Ish-deputeti përmendi se në zgjedhjet e 2017-tës dhe 2013-tës në qarkun Gjirokastër kanë votuar 6750, ndryshe nga ky vit ku votuan rreth 2900. Për këtë, Vangjel Tavo tha se u është mohuar e drejta e votës rreth 3500 qytetarëve.

”Unë në Bashkinë e Dropullit në 2013 dhe 2017, kishin votuar 6750 votues, kanë votuar vetëm 2900 votues. Janë 3500 votues që u është mohuar e drejta e votës. Të gjitha ata që ishin votues të PS-së kanë qenë komisionerë, numërues, edhe pse erdhën nga Greqia. Unë për këtë kam bërë padi në prokurorinë e rrethit të Gjirokastrës, ditën e zgjedhjeve”.

SHKARKO APP