Padia e parë për 25 prillin, LSI: Zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës të shpallen të pavlefshme
Vjen padia e parë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Lëvizja Socialiste për Integrim, ka ankimuar zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës. LSI po ashtu kërkon që të shpallen të pavlefshme në Bashkinë Dropull, gjë që ndikon në rezultatin e gjithë qarkut. Më herët LSI-ja ka kërkuar nga KQZ edhe pamjet filmike nga numërimi i votave pasi pretendon për parregullsi në dëm të saj.
LSI-ja pretendon se vendimi për të futur në karantinë të detyruar dyjavore të gjithë personat që hynin në Shqipëri, ka penguar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Për më tepër, LSI-ja pretendon se karantinimi i detyruar është zbatuar ende pa u botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Vendimi, sipas LSI-ja është marrë më datë 19 prill, por është botuar në Fletoren Zyrtare me 21 prill. LSI-ja pretendon se karantina e detyruar është kërkuar dhe zbatuar edhe për personat që kanë paraqitur një test PCR negativ, pra që nuk ishin të infektuar me Covid-19.