Pafajësia e Arben Frrokut, PD: Dyshime për vendim të influencuar politikisht

Partia Demokratike reagoi sot ndaj vendimit të gjykatës që shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, i akuzuar nga prokuroria për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj, për të cilin organi i akuzës kishte kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm.

Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i PD-së, Eduard Halimi u shpreh se, vendimi i pafajësisë për vëllain e deputetit është sot në sytë e të gjithë shqiptarëve, një vendim që ngjall dyshimet më të forta se është diktuar nga qeveria, për të mbyllur pazarin për çështjen Meta.

 “A u ble heshtja e Mark Frrokut, me lirimin e Arben Frrokut, i cili me gjasë do të ulet në krah të Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë?Jemi sot këtu për të shprehur në emër të Partisë Demokratike, shqetësimin e thellë për këtë vendim, që ka shkaktuar tronditje të mbarë opinionit publik, dhe ka lënë dyshime të forta si vendim i influencuar politikisht”, deklaroi më tej Halimi.

“Vendime të tilla, pasi shumë prova e fakte janë bërë publike dhe qëndrojnë fort në favor të akuzës, merren në një kohë kur ka dyshime të forta se dyshja Rama-Meta ka pakte për të mbyllur me vëllain e të akuzuarit, dhe kur ata kanë çuar në një shkallë të paimagjinueshme ndërhyrjet në drejtësi, me telefonata e kërcënime për gjykatësit, fakte të bëra publike kohë më parë dhe të pakundërshtuara deri më sot”, vijoi ai. Partia Demokratike i respekton institucionet dhe vendimet e gjykatave dhe nuk komenton vendimet e tyre, u shpreh më tej Halimi, ndërsa shtoi se “ajo çfarë ka ndodhur sot është një alarm për drejtësinë e demokracinë në vend”. “Eshtë një alarm për sigurinë, derisa paktet kriminale arrijnë të mbyllin një vrasje të një komisari policie. Ne inkurajojmë dhe shpresojmë që ky vendim do të apelohet dhe drejtësia do të bëhet”, tha në përfudnim Halimi. Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli sot të pafajshëm, Arben Frrokun, të akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj. Sipas Gjykatës, provat e paraqitura nga prokuroria nuk janë të mjaftueshme për të shpallur fajtor Arben Frrokun ndaj ai u lirua nga akuzat.

SHKARKO APP