Pak qytetarë në protestë kundër kullës, Qorri: Oligarkët banojnë në periferi, Tiranën e shfrytëzojnë si minierë ari
Edhe më pak qytetarë janë bërë bashkë këtë të enjte në protestën e radhës kundër ndërtimit të kullës 64-katëshe në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Kreu i lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri ka thënë se në vend funksionojnë ligje kolonizatore, ku oligarkët dhe të fortët kanë mundësinë t’i marrin kujtdo pronën, për të ndërtuar aty investime strategjike.
“Se sa respektohet prona private në Shqipëri, e di çdokush që do të mbyllë ballkonin apo të vendosë një tendë. Rri me ditë në Bashki dhe nuk merr leje. Imagjinoni një tjetër që ka një shtëpi përdhese dhe do të ngrejë një kat të dytë. As nuk bëhet fjalë. Por po gjete një investitor që të ngrejë 20 kate, menjëherë. Pronë private kanë edhe në jug.
Por ty të rrëmbehet prona nëse një investitor, një mafioz oligark që vjen nga Tirana do të bëjë një investim strategjik. Këto janë ligje që përdornin kolonizatorët. Ata në këtë rast janë gangsterët dhe oligarkët. Kush ndërton në Shqipëri? Cila është elita ekonomike në Shqipëri? Qyteti për ta është një minierë ari që është mirë ta shfrytëzosh, por nuk jetohet. Shikoni ku jetojnë, nëpër fshatrat rreth e qark Tiranës. Por e duan Tiranën për ta shfrytëzuar”, deklaroi Qorri.