Paketa “anti-shpifje” përkeqëson imazhin e Shqipërisë për lirinë e medias

Shqipëria, vetëm në dy javët e fundit është kritikuar nga disa institucione të Bashkimit Europian për mungesë të lirisë së shtypit. Problemi kryesor i cili ka shqetësuar organizmat e BE-së, por edhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare lidhen kryesisht me paketën anti-shpifje. Tentativat për miratimin e kësaj pakete duket që kanë shkaktuar një imazh jo të mirë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtarë sa i takon lirisë së medias.

Euronews Albania zhvilloi një bisedë për këtë çështje me Këshilltaren Ligjore në Qendrën Europiane për Liri të Shtypit, Flutura Kusari. Ajo theksoi se këto kritika burimin parësor e kanë tek tentativat e qeverisë shqiptare për të kaluar paketën “anti-shpifje”, paketë kjo që sipas saj, ka për qëllim të censurojë punën e mediave.

“Dy javët e kaluara kemi pasur institucionet europiane, por edhe organizatat ndërkombëtare, të cilat ka vijuar kritikat ndaj Shqipërisë sa i takon lirisë së medias. Fillimisht kishim “Reporterët pa Kufij”, të cilët e ulën në rankimin e tyre për arsye të ndryshme Shqipërinë, por edhe për shkak të paketës antishpifjes. Pastaj, patëm raportin vjetor të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, ku u kritikua Shqipëria për këtë paketë legjislative, e cila tenton të censurojë mediat”, tha ajo.

Gjithashtu znj. Kusari shprehet se kritikat lidhen edhe me dhunën ndaj gazetarëve, fenomen ky që sipas saj vijon të mos ketë autorë përgjegjës.

“Ka disa raste që janë regjistruar ndaj gazetarëve, konkretisht kemi të bëjmë me sulme fizike, por shteti shqiptar ka dështuar t’i japë shpjegime Këshillit të Evropës. Ky raport e përmend edhe paketën anti-shprehje, pra disa veprime që kanë ndodhur vitin e kaluar. Ekziston një kulturë e pandëshkueshmërisë. Sulmet ndaj gazetarëve mbeten të pazgjidhura”, shtoi ajo.

Flutura Kusari: Paketa “anti-shpifje” përkeqëson imazhin e Shqipërisë për lirinë e medias

SHKARKO APP