Paketa ”Antishpifje”, Presidenti Meta, mesazh qeverisë: Reflektim dhe jo kokëfortësi drejt autoritarizmit

Pasi vendosi për të kthyer në Kuvend ligjin ”Antishpifja”, Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në facebook, thotë se liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.

Kreu i Shtetit, bën thirrje të fortë për reflektim, për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që për të, do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. ”I ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje””.

Reagimi i kreut të shtetit vjen pas deklaratës së bërë nga numri dy i PS-së, Taulant Balla, i cili deklaroi se dekreti i Presidentit për paketën antishpifje do të rrëzohet në Parlament.

Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta

Të dashur qytetarë, Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.

Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias.

Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë.  Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”.

http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-91-2019-arsyet-e-kthimit-per-rishqyrtim-te-ligjit/?fbclid=IwAR22oiIeQJrC6MoCO1u4M2cJ0jfzAGhMw512M6GQKCn3es96CtLVx6-bJ-E

SHKARKO APP