”Paketa Antishpifje”/”The New York Time”: Të mos bllokohet liria e shprehjes
“The New York Time”, ka bërë një shkrim për ”Paktën Antishpifje”, e cila pritet të kalohet në Kuvend, më 19 dhjetor. Në shkrim theksohet se OSBE-ja ka paralajmëruar Shqipërinë që të mos bllokojë lirinë e shprehjes në internet, pra të mos kufizojë mediet online. Në fund të shkrimit “The New York Time”, thekson se mediat post-komuniste të Shqipërisë deri më tani janë përdorur ose shfrytëzuar përgjithësisht nga partia politike në pushtet.
Shkrimi i plotë
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të hënën u kërkoi autoriteteve në Shqipëri të ndryshojnë më tej një projektligj për një sistem të ri regjistrimi për mediat online. Harlem Desir, përfaqësuesi i lirisë së mediave të OSBE-së, i kërkoi Parlamentit shqiptar të bëjë më shumë ndryshime në legjislacionin e ri, duke shtuar se “shumë do të varen nga zbatimi”.
Ai theksoi se agjensia rregullatore duhet të jetë plotësisht e pavarur dhe pa ndërhyrje politike. Projektligji i vitit të kaluar për median në internet dhe kërcënimi i qeverisë për të vendosur gjobë të rëndë për ofruesit e mediave elektronike të paregjistruara, u kritikuan nga OSBE dhe organizatat lokale të mediave. Desir tha se ligji nuk duhet të interpretohet si e drejtë e censurës ose e kufizimit të lirisë së shprehjes. ”Mundësia e bllokimit të qasjes në përmbajtje në internet tani do të kufizohet në tre fusha”, tha Desir.
Pornografia e fëmijëve, promovimi i akteve terroriste dhe shkeljet e sigurisë kombëtare. Ai gjithashtu ka rekomanduar disa modifikime shtesë “për të sqaruar masat mbrojtëse të lirisë së shprehjes dhe për të shmangur çdo rrezik të kufizimeve ose sanksioneve të padrejta për ofruesit e mediave elektronike.” Mediat post-komuniste të Shqipërisë deri më tani janë përdorur ose shfrytëzuar përgjithësisht nga partia politike në pushtet.