Paketa Kerry për Shqipërinë
DASH: Reforma, një projekt për të cilin kemi punuar së bashku. Kjo paketë e veçantë legjislative, është pjesë e pastrimit të Shqipërisë.
Qëllimi i Reformës në Drejtësi, është të pastrojë Shqipërinë, në mënyrë që jo vetëm të jetë e denjë për integrim në BE, por që të mund të tërheqë investime të huaja.
Në një shkëmbim të shkurtër me gazetarët, një ditë para vizitës në Tiranë të Sekretarit të Shtetit Xhon Kerry, Departamenti i Shtetit iu tha këtyre të fundit, se arsyeja kryesore e vizitës, ishte përforcimi i mesazhit për miratimin e Reformës në Drejtësi. Duke përsëritur atë që është dëgjuar më herët nga Ambasadori Donald Lu, DASH vuri në dukje se SHBA kishin punuar bashkë me Shqipërinë për Reformën në Drejtësi.
“Tani ata po punojnë në këtë paketë të madhe të Reformës në Drejtësi, gjëra që do të forcojnë sistemin e tyre legal, e të tjera”, thuhet në përgjigje të njërës prej pyetjeve. Ndërkohë që DASH shpjegon se ndërsa në rastet e tjera ka ndihmuar Shqipërinë me mjaft gjëra, këtë radhë ndikimi ka qenë më i fortë: “Ky është një projekt me të cilin ne kemi punuar së bashku.”
Duke bërë me dije se kalimi i reformës ashtu siç theksoi edhe Sekretari Kerry, jo vetëm do e ndihmonte Shqipërinë të avanconte në rrugën e integrimit, por do të krijonte një ambient më të sigurt për investitorët amerikanë dhe europianë, DASH thotë se kjo ishte edhe arsyeja pse vizita ishte planifikuar e tillë. Duke lënë të kuptohet se Kerry ndodhej në Tiranë për të “imponuar” vullnetin e SHBA mbi palët, DASH shpjegon se kjo ishte edhe arsyeja pse në vizitë ishte planifikuar edhe një takim me opozitën.
“Ata janë në negociata me partinë më të madhe të opozitës, kjo është një prej arsyeve se pse po e bëjmë këtë në këtë mënyrë, kështu që Sekretari mund të përforcojë mesazhin që kjo paketë e veçantë legjislative është pjesë e pastrimit të Shqipërisë”.
“Shqipëria, sukses kundër terrorizmit”
Deklaratat u dhanë para fluturimit nga Mynihu në Tiranë, nga zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit. Sipas tyre, vizita ka qenë e planifikuar për t’u zhvilluar në dhjetor, kur Sekretari i Shtetit vizitoi Beogradin dhe Kosovën, por për shkak të kohës, vizita në Tiranë u shty.
“Kjo vizitë në Tiranë, vjen për shkak se Shqipëria është anëtare e NATO-s, por ende jo e BE-së, gjë për të cilën ajo është duke punuar fort. Shqipëria është një nga kontribuesit në luftën kundër ISIS, si dhe janë duke u dhënë armatime ‘Peshmergat’ luftëtarëve. Gjithashtu, ata bashkëpunojnë me ne edhe në Afganistan”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Duke u ndalur te lufta kundër terrorizmit, theksohet se Shqipëria ka punuar shumë në të gjitha drejtimet, për të parandaluar fenomenin e luftëtarëve të huaj, të cilët shkojnë në Siri dhe Irak.
DASH i ka bërë komplimente Shqipërisë, sa i përket luftës kundër ekstremizmit. “Ata janë pesha të rënda të luftës kundër ekstremizmit në rajon. Kanë punuar fort për të ndaluar luftëtarët e huaj që vinin prej Shqipërisë, për të shkuar në Siri dhe Irak dhe kanë qenë mjaft të suksesshëm në këtë dhe janë gati të eksportojnë strategjinë e tyre në vendet e tjera të Ballkanit”, thotë zyrtari i DASH. Në këtë aspekt, DASH ka vlerësuar edhe kryeministrin, që sipas tyre ka qenë një “lider rajonal”, sa i përket përplasjes me ekstremizmin dhe iniciativave që ka ndërmarrë për të bërë bashkë vendet e Ballkanit në këtë pikë.
Lufta kundër të inkriminuarve
Sipas DASH, sfida më e madhe e Shqipërisë është rruga për në BE dhe rritja ekonomike që është penguar prej problemeve jetëgjata, si: krimi, korrupsioni dhe mungesa e shtetit të së drejtës. “Ata tani po i adresojnë këto probleme”, thotë DASH. Ashtu si Sekretari dje në kryeqytet, edhe DASH vlerësoi reformën për largimin e të inkriminuarve nga kuvendi. “Ata kishin njerëz (të inkriminuar), në të dyja partitë e mëdha, njerëz në parlament, të cilët ishin të akuzuar për kriminalitet dhe nuk po e paguanin çmimin në politikë; tani e kapërcyen këtë”, thotë zyrtari i DASH. Më pas theksohet puna e bërë për Reformën në Drejtësi dhe domosdoshmërinë e saj. Po ashtu DASH është përgjigjur shkurt edhe për mospraninë e zotit Meta në takime, duke thënë se nuk besonte që ai do të merrte pjesë, por pa dhënë arsye për këtë. Mungesa e një takimi me Metën, qe arsye spekulimesh gjatë javës. MAPO
KOHA JONË SONDAZH

