Paketa me 7 ligje të amenduara në Këshillin Politik, SPAK do hetojë krimet zgjedhore
Zbardhen 7 ligjet e amenduara me marrëveshje në Këshillin Politik që lidhjen me zgjedhjet. Bashkëpunëtorët e drejtësisë për krimet zgjedhore do të përjashtohen nga dënimi, ndërsa për sinjalizuesit do të ngrihet një strukturë e posaçme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas këtij drafti, i cili pritet të depozitohet në Kuvend, SPAK do të hetojë krimet zgjedhore.
Draftet
Paketa me 7 ligje të amenduara, pas marrëveshjes së 5 qershorit, të dakordësuara në Këshillin Politik pritet të shkojë në Kuvend. Në draftin e zbardhur dje nga mediat, shihet se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike së bashku me ekspertët kanë rënë dakord që të sanksionohet në Kodin Penal përjashtimi nga dënimi për krimet zgjedhore të atyre personave që bashkëpunojmë me drejtësinë. “Personi që ka kryer një ose më shumë vepra penale i cili bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale për hetimin, si dhe për zbulimin e personave te tjerë, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale ose autorë të veprave të tjera të lidhura, përjashtohet nga dënimi për veprën penale të kryer prej tij”, thuhet në draft. Palët në politike në Këshill, në ndryshimet për ligjin e sinjalizuesve, i kanë dhënë KQZ-së së re përgjegjësinë për hetimin e rasteve të sinjalizimeve për shitblerjen e votës. “Në KQZ krijohet dhe funksionon njësia përgjegjëse për marrjen e sinjalizimeve dhe trajtimin e tyre. Në përfundim të hetimit administrativ të sinjalizimit, njësia përgjegjëse në KQZ, në rast se konstaton shkelje administrative vendos sanksione sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj. Për shkelje të ligjit penal paraqet kallëzimin përkatës në prokurori”, sanksionohet në projektligj. Sipas dakordësisë së 5 qershorit, dhe më pas të amenduar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, SPAK-u do të hetojë shitblerjen e votës, ndërsa prokuroritë në rrethe do të ngrenë grupe të posaçme. “Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas juridiksionit përkatës, i japin informacion KQZ-së për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve.”, thuhet në projektligj. Por politika ka vendosur që në vlerësimin e magjistratëve dhe për kreun e prokurorisë të futen edhe dosjet për krimet zgjedhore. Nga ana tjetër Policia e Shtetit nuk do të jetë e pranishme jashtë qendrave të votimit dhe mund të ndërhyjë vetëm në rast nevojë. Ekspertët kanë rënë dakord që të shfuqizohet pika h e nenit 17, e cila i jep të drejtë policisë për të marrë në mbrojtje personalitet dhe objektet të rëndësisë së veçantë, për të ndryshuar sipas këtij formulimi “Bashkëpunon me administratën zgjedhore dhe raporton për veprimtarinë e policisë në zgjedhje sipas ligjit dhe në aktet nënligjore të miratuara nga KQZ”, theksohet në draft. Ndryshime radikal ka pasur edhe ligji për partitë politike, pasi me marrëveshje janë shfuqizuar të gjitha pikat e nenit 24 të financimit të partive politike. Pas kërkesës së PD-së është dyfishuar buxheti i shtetit dhe është ulur financimi i partive politike nga privat në raportin 1/3.
Paketa me 7 ligje të amenduara në Këshillin Politik by RTV ORA News on Scribd
Burimi: Ora News