Paloka ironizon Ramën: Xhaja filloi të zbulojë armiq, ka filluar të rrjedhë nga pleqëria
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ironizon deklaratat e kryesocialistit Edi Rama i cili para deputetëve të PS-së të mbledhur në Elbasan kërkoi angazhim maksimal për mandatin e tretë qeverisës.
Përmes rrjeteve sociale, Paloka shprehet se me këtë stil demode frymëzon vetëm Taulantin dhe shokët e “Toyota Yaris”. Paloka ironizon teksa thotë se Xhaja (Edi Rama) filloi të zbulojë armiq, që sipas tij, ka filluar të rrjedhë nga pleqëria.
“Filloi xhaja të zbulojë armiq të brendshëm, madje dhe të padukshëm… Këto janë shenjat kur fillon e të kap plakja keq, fillon dhe gjen armiq të padukshëm edhe brenda stanit që ke zgjedhur vetë.
Ka filluar të rrjedhë nga pleqëria, se nuk besoj se dikush ja ka mbush mendjen se me këtë stil demode mund të frymëzojë ndokënd… veç Taulantit dhe shokëve të tij të Toyota Yaris”, u shpreh Paloka.