Paloka: Ky është kushti ynë për ndryshimet në Kushtetutë
Demokratët do t’i sigurojnë shumicës 93 votat e nevojshme për të ndërhyrë në Kushtetutë, vetëm në rast se reforma në drejtësi nuk do të përdoret për të vënë në kontroll gjyqësorin. Ky është kushti që paralajmëron kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, i cili në një intervistë për Ora News ndalet dhe tek dekriminalizmi i Parlamentit, që sipas tij kërkon vullnet politik, që deri më tani i ka munguar mazhorancës.
Partia Demokratike do të bashkojë votat me shumicën për të ndryshuar Kushtetutën, vetëm në rast se reforma në drejtësi nuk do të përdoret si karrem për të kontrolluar sistemin.
Është kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, i cili i kthen kështu në distancë përgjigje bindjes së maxhorancës, se 93 votat që kërkon ndërhyrja në ligjin themeltar të shtetit, do të arrihen falë dakordësisë së opozitës
“Vullneti ynë është absolut. Është shprehur, është konfirmuar për të bërë çdo ndryshim të nevojshëm qoftë dhe në Kushtetutë por ti shërbejë reformës në drejtësi jo ti shërbejë kapjes së drejtësisë nga kjo maxhorancë. Deri më sot nuk kemi gjë tjetër veçse kapje të institucionit të drejtësisë. Heqje e kompetencave të atyre që nuk janë në maxhorancë. Dhe duket që hapet e tjerë synojnë këtu. Nëse do të vazhdohet kështu sigurisht nuk mund të bashkojmë votat për një synim të tillë”, tha Paloka.
Edhe dekriminalizimi i parlamentit, pritet të sfidojë politikën në sesionin e ri parlamentar. Realizimi i procesit, sipas Palokës,mbështetet mbi të gjtha tek vullneti politik
“Kemi mungesë të plotë vullneti të paktën nga ana e Ramës lidhur me këtë çështje. Kjo nuk përjashton Metën dhe nëse ky vullnet mungon të jeni të bindur se asnjë ligj e asnjë reformë nuk e zgjidh këtë problem”, shtoi ai.
Në intervistën për Ora News, Paloka ndalet edhe në analizën e PD për zgjedhjet e 21 qershorit, duke deklaruar se ka shumë vend për reflektim dhe korrigjime, të të cilat pritet të shpalosen në shtator.