Paloka: Po kërkohet dështimi i reformës, Rama do të mbajë pushtetin me votë të vjedhur

Pas bllokimit të konsensusit për reformën zgjedhore, opozita akuzon kryeministrin Edi Rama se kërkon dështimin e reformës zgjedhore.

Nënkryetari i PD-së Edi Paloka tha dje se pasi ka dështuar të kapë komisionet zgjedhore dhe pasi përdori opozitën parlamentare për të tentuar heqjen e koalicioneve, tashmë kryeministri po kërkon të kapë KQZ-në.

Një ditë pas krisjes se konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës, Partia Demokratike është e bindur se kryeministri Edi Rama po kërkon dështimin e reformës zgjedhore.

Nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka, thotë se Kryeministri si fillim kërkoi të kapë administratën zgjedhore, më pas përdori deputetët që kanë marrë mandatet e PD e LSI për të hequr koalicionet, e tani kërkon të ketë nën urdhrat e tij Komisionin e ri të Zgjedhjeve.

“Ka filluar prapë historinë në Këshillin Politik me KQZ-në, i cili kërkon ta ketë totalisht të vetin. Nuk është opozita, por është Rama, ai i cili nuk e ka dashur që në fillim reformën zgjedhore. Vazhdon çdo ditë të bëjë tentativa që, ose ta kapë Kodin e Ri zgjedhor dhe të marrë garanci që nuk duhet t’i ketë ai, por duhet t’i ketë opozita për pushtetin, ose ta prishë fare”, u shpreh nënkryetari i PD-së.

Edi Paloka i quan lojë edhe deklarimet e kryeministrit se nuk i ka votat për reformën zgjedhore. Sipas tij deputetët që kanë kushtëzuar votën për reformën me ndryshimin e sistemit, janë pjesë e lojës së mazhorancës.

“Nuk e ha njeri këtë lojën me surrogatët e opozitës. E kanë kuptuar të gjithë. Edhe partnerët e dinë që ato janë kukulla që bëjnë lojën e Ramës. Nëse i gënjen mendja se do t’ua hedhë partnerëve, se shqiptarëve jo, do bëjë gafën më të madhe të jetës së vetë”, theksoi Paloka.

Sistemi zgjedhor ka marrë debat të gjerë në diskutimet për reformën, dhe Paloka thotë se Partia Demokratike është e hapur për këtë çështje, por kjo mund të diskutohet në një moment të dytë.

“Kjo çështje për ne diskutohet pasi të mbyllen problemet që ka me manipulimin dhe shitblerjen e votës dhe mbi gjithçka tjetër që ka sjellë Shqipërinë në këtë vend”, deklaroi Edi Paloka.

Qeveria tranzitore nuk përfshihet te marrëveshja e 5 qershorit të firmosur nga mazhoranca dhe opozita. Por pavarësisht kësaj, PD nuk është tërhequr.

“Vullneti politik është kryesori prandaj dhe kërkesa për qeveri tranzitore vazhdon të mbetet në fuqi. Vetëm vullneti politik garanton përfundimisht zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

/Ora News

SHKARKO APP