Paloka: Rama vendosi sërish t’i shërbejë krimit dhe pastrimit të parave, përmes lejimit të lojërave të fatit
Lidhur me lejimin e bixhozit në Tiranë, ka reaguar edhe nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka, i cili flet për një takim misterioz mbrëmjen e djeshme të kryeministrit Edi Rama.
Po ashtu, Paloka i drejton 5 pyetje kryeministrit, duke theksuar se përgjigjet duhet të kërkohen edhe nga SPAK-u.
Deklarata e nënkryetarit të PD-së
Në lojën e tij mafioze për pushtet, Edi Rama qante me lot krokodili dy vjet më parë për dëmin që bixhozi u sillte familjeve.
Pjesë e spektaklit ishte dhe gjoja tronditja e tij se të dënuarit në burgun 313 po i kërcënonin deputetët. Edhe pse vepër penale, nuk u mor kurrë ndonjë masë për ata që kërcënuan deputetët, sepse personat pas hekurave të burgut, janë pushtetarët e vertetë në këtë vend.
Edi Rama sot ka harruar gratë e përvuajtura, që i përdor sa herë i duhen për spektaklin e tij dhe për pazaret e tij të fëlliqura, duke vendosur edhe një herë tjetër t’i shërbejë krimit dhe pastrimit të parave, përmes lejimit të lojërave të fatit.
Sot, ka disa pyetje që Edi Rama duhet t’u kthejë përgjigje. Këto përgjgije duhet të kërkohen menjëherë edhe nga SPAK.
- Për llogari të cilit të burgosur te 313-ta po lejon sërish lojrat e fatit?
- Për llogari të kujt i mbylle 2 vjet më parë?
- Pse e more këtë vendim në fshehtesi dhe me nxitim në kulmin e krizës, ku shqiptarët po vuajnë për ushqimin e përditshëm?
- A është ndonjëri nga ata më të cilët ishe mbrëmë përfitues i këtij vendimi?
- Çfarë pazari mbylle me shoket e përgjimeve të Vangjushit?
Shqiptaret e dinë se ditët e Ramës janë të numëruara. Ata e shohin çdo ditë e me qartë se çfarë mashtruesi ordiner është Edi Rama dhe sesi, për pushtetin e tij, është gati të bëjë pazar edhe me kufijtë dhe të mashtrojë çdo qytetar pa iu dridhur syri.