PD: Reforma në drejtësi të miratohet pas zgjedhjeve të parakohshme
Teza e Pandeli Majkos për të shkuar në zgjedhje nëse Parlamenti dështon të miratojë reformën në drejtësi, për kreun e grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, duket se është e pranueshme, por për një motiv tjetër sipas tij.
“Sa për zgjedhjet e parakohshme, sigurisht që ato janë të domosdoshme, por jo se i kërkon Majko, apo se kërcënon Rama, por sepse vendi ka shkuar në një pikë krize të pakthyeshme”, thotë Paloka.
Reforma, proces politik apo teknik? Për Edi Palokën ka edhe një skenar të tretë.
“Ka edhe një rrugë tjetër. Ka zgjedhje dhe pastaj reformë. Sepse përderisa kemi qartazi vullnet të munguar nga Edi Rama për të bërë edhe reformën në drejtësi, pse jo, këtë reformë mund ta bëjë Parlamenti i ardhshëm me një vullnet të plotë”, shton ai për TCH.
Por për kreun e grupit parlamentar të opozitës, edhe për zgjedhjet ka një kusht të panegociueshëm, qeveri tjetër që t’i organizojë ato.
“Edi Rama duhet të largohet që shqiptarët të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe më pas të kenë një qeveri që realisht të punojë për interesat e tyre”, shton Paloka.