Panariti: Janë 75 milionë euro për bujqësinë, qeveria të mos humbasë kohë për të ndihmuar fermerët
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panarit deklaron se janë 75 milionë euro për bujqësinë që nuk po përdoren nga ana e qeverisë për përballimin e situatës.
Në një reagim në Facebook, Panariti thotë se fondet e projektit IPARD duhet të vihen në mbështetje të fermerëve të cilët ndodhen në krizë.
Postimi i plotë i Edmond Panariti:
“72 milionë euro të papërdorura nga paratë e BE për bujqësinë, (fondet IPARD), të cilat “flenë” ende në sirtar të shkojnë si mbështetje direkte për fermerët në vështirësi!
Sa më parë dhe sa më shpejt! Jo si asistencë mbijetese por për prodhim në kushte krize!
Ato para, në kushtet e paralizës së tregjeve dhe pamundësisë së ekzekutimit të projekteve për shkak të pandemisë, do të “digjen” brenda vitit, nëse nuk i kërkohet që tani Bashkimit Evropian që ato të përdoren për të mbështetur fermerët e pambrojtur dhe të pambështur ne prag falimenti nga kriza e rëndë e COVID.
Kjo është “lëvizja” që do të mirëpritej nga BE pas propozimit të qeverisë! Sepse ky “rikanalizim” i fondeve në përshtatje me situatën, u shqyrtua edhe në mbledhjen e 26 Marsit të Ministrave të Bujqësisë të BE, të cilët konstatuan se vetë rregullorja krijon fleksibilitet të mjaftueshëm për një veprim të tillë. Prandaj Komisioni, ka vënë ne levizje një proces të përshpejtuar për administratat kombëtare për ta përshtatur programin me krizën aktuale. Vetë politika për bujqësinë e BE, po shikon mundësinë për kryerjen e pagesave direkte për fermerët e tyre më herët se vitet e tjera, duke rritur sasinë e parave paradhënie. Prandaj duhet vepruar shpejt, menjëherë.. Tani!”.
KOHA JONË SONDAZH

