Panariti: Me koronavirusin ndodhemi mes dy zgjedhjeve të rrezikshme

Ish-ministri Edmond Panariti, nëpërmjet një shkrimi në Facebook thotë se me koronavirusin ndodhemi mes dy zgjedhjeve njësoj të rrezikshme dhe këshilla më e mirë është të ecim në mes.

Postimi i plotë i ish-ministrit Panariti:

Me koronavirusin ndodhemi mes dy zgjedhjeve njësoj të rrezikshme.
Këshilla më e mirë?!
Të ecim në mes.

Sepse është si të lundrosh në një ngushticë ku në njërin krah ke përbindëshin Shila dhe në tjetrin monstrën Karibd.

Njëri të gëlltit dhe tjetri të shqyen!
Të dy mund të të fundosin nëse zgjedh njërin prej tyre !

Por ti duhet të ecësh para sepse nuk ke zgjedhje tjetër.

Pra më e mënçur është ti biesh përmes.

Deri tani kemi zgjedhur të mos ecim!

Të mbyllim njerëzit, shpesh me kufizime absurde edhe nga pikëpamja epidemiologjike, të paralizojmë ekonominë, të ndrydhim liritë për një të keqe e cila nuk mbyllet këtë verë.
Këtë e thonë epidemiologët e qendrave më prestigjioze të cilët na paralajmërojnë për tu përgatitur për skenarin më të keq, ndër tre të mundëshmit. Atë të valës së dytë në vjeshtë ndofta edhe më agresive se e para.

Shpresojmë dhe urojmë që jo!

Por nga pikëpamja strikt epidemiologjike, ata kanë të drejtë!
Sepse të heqësh kufizimet karantinore në një infeksion ndaj të cilit kemi imunitet zero, me koeficient ngjitës më të lartë se gripi, pa vaksina dhe me 20 përqind të infektuarve pa simptoma është shumë e rrezikshme.

Po po aq e rrezikshme është paraliza e ekonomisë dhe e shoqërisë dhe izolimi i popullatës!
Dhe jo vetëm ekonomikisht që zgjedhja e këtij opsioni do të jetë një katastrofë e sigurt, por edhe epdemiologjikisht do të jetë shumë e rëndë me rritje të frikshme të patologjive të shëndetit mendor dhe një seri sëmundjesh kronike të pa zbuluara dhe kuruara nga mbyllja e detyruar e të prekurve.

Si i bëhet?

Le të ecim në mes, me kujdes të baraslarguar ndaj dy të këqijave!

Prandaj duhet hapur vendi sa më parë me monitorim strikt të distancimit social, masa mbrojtëse maska, doreza të shpërndara kudo. Testim, gjurmim, izolim të rasteve pozitive.

Por ekonomia, shoqëria nuk mund të karantinohet e gjitha!
Ajo duhet ti kthehet sa më parë një normaliteti “të ri” me kufizime por jo bllokime.

SHKARKO APP