Panariti: Moszbatimi i marrëveshjes goditje e rëndë ndaj stabilitetit
Ish-ministri Edmond Panariti ka komentuar qëndrimin e qeverisë për Reformën Zgjedhore dhe tentativat për të mos zbatuar marrëveshjen e arritur mes palëve në Ambasadën Amerikane.
Ish-ministri shprehet se moszbatimi i marrëveshjeve nuk i jep më asnjë kuptim dialogut politik dhe bën të pavlefshme çdo lloj negociate që mund të zhvillohet edhe në të ardhmen. Në një reagim në Facebook, Panariti shprehet se “mosrespektimi i marrëveshjeve është goditja më e rëndë ndaj stabilitetit dhe integrimit Evropian të Shqipërisë”.
“Moszbatimi i marrëveshjeve për reformat, nuk i jep më asnjë kuptim dialogut politik sot dhe mot. Marrëveshjet janë për zbatim jo për diskutim! T’i deformosh ato, do të të thotë që ke qenë dhe je kundër tyre! Je si “pëlhura e Penelopës” që thuret ditën dhe çthuret natën.
Mos kërkoni më dialog nga ata që thyejnë marrëveshjet! Sepse nuk janë më të besueshëm. Dialogu dhe bashkëpunimi politik është kushti kryesor sintezë i cili i paraprin të 15 kushteve të BE dhe të Bundestagut. Mosrespektimi i marrëveshjeve është goditja më e rëndë ndaj stabilitetit dhe integrimit Evropian të Shqipërisë”, shkruan Panariti.