Panariti: Opozita duhet të përmbysë modelin e kapitalizmit grabitqar
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, thotë se opozita ka për detyrë që të ofrojë një model që të përmbysë modelin e kapitalizimit grabitqar që sipas tij po sundon vendin. ”Oferta e opozitës për shqiptarët është të përmbysë rrjedhjen e parave të tyre nga poshtë-lart, në lart-poshtë. Thënë ndryshe, nga pak duar dhe xhepa, në shumë duar dhe xhepa! Vetëm ky është thelbi i mekanizmit të ri financiar dhe ekonomik i qeverisjes së saj që do të rritë pagat dhe pensionet, do të financojë shkollat dhe spitalet dhe do të zbutë varfërinë afrikane të vendit”,-shkruan ndër të tjera Panariti.
Postimi i plotë
Opozita duhet të përmbysë modelin e kapitalizmit grabitqar klientelist që po sundon vendin, në të cilin vetëm 3 përqind e shqiptarëve zotërojnë shumë më tepër para e pasuri se 97% e tyre. Oferta e opozitës për shqiptarët është të përmbysë rrjedhjen e parave të tyre nga poshtë-lart, në lart-poshtë! Thënë ndryshe, nga pak duar dhe xhepa, në shumë duar dhe xhepa!
Vetëm ky është thelbi i mekanizmit të ri financiar dhe ekonomik i qeverisjes së saj që do të rritë pagat dhe pensionet, do të financojë shkollat dhe spitalet dhe do të zbutë varfërinë afrikane të vendit. Çdo kontratë sipërmarrje e cila vetëm thith para dhe pasuri, por nga e cila nuk rrjedh dhe as pikon gjë për shqiptarët nuk ka se çfarë na duhet.
Ka me qindra investitorë të ndershëm, të cilët mund ti zëvendësojnë ato. Sigurisht për të fituar për vete, por duke shpërndarë pjesë të fitimit për shqiptarët dhe mirëqenien e tyre. Sepse më mirë pa investime se sa me rrjepje dhe grabitje të parave dhe pasurisë publike dhe varfërim të popullit. Ky është thelbi i ndryshimit dhe i kthesës së 25 Priillit.