Panariti: Politika të heqë dorë nga përdorimi i ”snajperëve” për puç kushtetues
Ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti, përmes një postimi në facebook, thotë se politika duhet të heqë dorë nga përdorimi i “snajperëve” për puç kushtetues. Reagimi i Panaritit vjen në një kohë ku debati për Kodin Zgjedhor është ndezur dhe palët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. ”Zakonisht përdoren për të hedhur gurin dhe për të fshehur dorën e dikujt që nuk mund të dalë hapur. Në Shqipëri “snajperizmi politik” rrezikon të kthehet në formë ekstreme të mercenarizmit politik. Nëse nuk ndalen, dëmet do të jenë të mëdha dhe kosto për vendin”.
Postimi i plotë
Në politikën botërore, njihet mirë termi “snajper” ose “franc tireurs”. I ka provuar “hidhur” politika Evropiane dhe botërore, në shumë raste! Faktori ndërkombëtar, i njeh mirë dëmet që shkaktojnë dhe kostot e riparimit të tyre.
Snajperët janë deputetë apo grup deputetësh të cilët nuk ju binden vendimeve të partive dhe godasin atëherë kur nuk pritet (snajper) duke prishur marrëveshje dhe kompromise politike të arritura me shumë mund.
Përgjithësisht për interesa të ngushta, por duke shkaktuar dëme afatgjata.
Zakonisht përdoren për të hedhur gurin dhe për të fshehur dorën e dikujt që nuk mund të dalë hapur.
Në Shqipëri “snajperizmi politik” rrezikon të kthehet në formë ekstreme të mercenarizmit politik. Nëse nuk ndalen, dëmet do të jenë të mëdha dhe kosto për vendin.