Pandemia e koronavirusit, Papa Francesku lëshon thirrjen e fortë: Zbatoni masat që kërkon qeveria!
Papa Francesku ka zgjedhur të lutet sërish në luftë me koronavirusin. Nga dritarja ai ka dhënë bekimin, por edhe ka kërkuar zbatimin e rregullave të qeverisë. Masat e rrepta sic thotë Ati i Shenjtë janë në të mirë të jetës së të gjithëve.
“Të qëndrojmë të bashkuar, t’ju gjendemi pranë personave që janë vetëm dhe në vështirësi, mjekëve. Infermierëve dhe gjithë vullnetarëve. T’ju qëndrojmë pranë autoriteteve që janë të detyruara të marrin masa të rrepta, por e bëjnë për të mirën tonë. Zbatoni masat që kërkon qeveria për të mirën e të gjithëve”, thotë ai.
Në një njoftim, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u kërkoi të gjithë të krishterëve të botës t’i bashkojnë zërat në lutje që Ati Qiellor t’ia ndalë dorën kësaj së keqeje.
“I ftoj – tha Ati i Shenjtë nga Biblioteka e Pallatit Apostolik – të gjithë krerët e Kishave dhe liderët e të gjitha bashkësive të krishtera, së bashku me të krishterët e traditave të ndryshme, t’i luten të Tejetlartit, Zotit të Gjithpushtetshëm, duke thënë të gjithë në të njëjtën kohë” Atynën, të mërkurën e ardhshme, më 25 mars, në mesditë, në datën kur shumë të krishterë kujtojnë Lajmërimin se në Zojën do të mishërohej Fjala e Hyjit: “Zoti – tha Papa – e dëgjoftë lutjen e njëzëshme të gjithë dishepujve të vet, që përgatiten të kremtojnë fitoren e Krishtit të Ringjallur”.
Papa njoftoi edhe se do të kryesojë një çast lutjeje në Tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, me sheshin bosh e pa njerëz, të premten e ardhshme, në orën 18.00. Një çast, në të cilin i fton të gjithë të bashkohen shpirtërisht, përmes mjeteve të komunikimit:
“Do të dëgjojmë Fjalën e Zotit, do të lartojmë lutjen tonë të përgjëruar, do të adhurojmë të Shenjtnueshmin Sakrament, me të cilin, në përfundim, do të jap Bekimin ‘Urbi et Orbi’ (Romës dhe botës), duke dhënë edhe mundësinë për të marrë Ndjesën e plotë. Pandemisë së koronavirusit duam t’i përgjigjemi me universalitetin e lutjes, të dhembshurisë, të ëmbëlsisë. Të mbetemi të bashkuar. T’i bëjmë njerëzit më të vetmuar e më të sprovuar që ta ndiejnë afërsinë tonë”.