Pandemia, Shehu: Rama, Kryeministri i “ndihmave dhe lëmoshave”, si në Afrikën Qendrore!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu e cilëson Edi Ramën si kryeministri i “ndihmave dhe lëmoshave”, ashtu si në Afrikën Qendrore!

“Rama, Kryeministri i “ndihmave dhe lëmoshave”, si në Afrikën Qendrore!

Së pari, unë dëshiroj të falënderoj ata që na ndihmojnë sado pak në varfërinë tonë të thellë të sistemit shëndetësor ku na ka katandisur “shëndetësia falas”, duke filluar nga ShBA për donacionin e saj të fundit në përpjekje ndaj COVID.

Por çdo Qeveri e përgjegjshme do të mburrej me atë që investon e krijon, e jo me mizerjen që pret me “gojë hapur” ndonjë thërrime, si po bën kjo e jona.

Kjo qeveri po mburret se ka marrë nga UNDP 31 respiratorë kinez, nga Qeveria Daneze në përdorim 30 respiratorë përsëri kinez, modele që nuk e kane garancinë e kompanive të konsoliduara, siç kanë veturat gjermane të Qeverisë.

Të njëjtën gjë bën edhe për vaksinat COVID, duke u ngazëllyer për futjen tonë në të njëjtën listë pritjeje me vendet e Afrikës Qendrore!

Zhvillimi i sistemit shëndetësor e shërbimeve të reanimacionit nuk mund të bazohen te ndihmat, me diçka që dhurohet prej diku, me diçka tjetër prej diku tjetër, e kështu me radhë. Kjo është karakteristikë e vendeve të… ne jemi në Europe e larg atyre kohërave tashmë!

Sistemi ynë shëndetësor, shërbimet e reanimacionit janë shumë komplekse, kërkojnë qindra parametra, harmonizim e pajtueshmëri të pajisjeve, siguri të lartë të tyre, vendimmarrje të stafit që do punojë me ato për porositë që bëhen, etj., gjë që nuk mund të realizohen nëpërmjet ndihmave, por vetëm me projekte e investime.

Një shërbim reanimacioni nuk mund të improvizohet duke zgjatur disa tuba e tela, e as mund të modernizohet me pajisje “lara-lara”, ai kërkon standarde të shumta e të veçanta, që në strukturë, që nga qarkullimi i ajrit, presionet, të monitorimi kompleks, suportet respiratore e hemodinamike, laboratoret e diagnostika adeguate, uniformitet të pajisjeve të shumëllojshme që përdoren, garanci e mirëmbajtje të shpejtë, etj.

Vetëm kështu zhvillohet sistemi e sektorët më delikate të tij, pikërisht për t’i bërë ballë rasteve më të rënda e ulur vdekshmërinë, ndryshe do ngelesh larg niveleve europiane ashtu siç jemi sot, me të gjitha pasojat tragjike të kësaj”, u shpreh ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu.

SHKARKO APP