Panik në Sarandë, turisti gjen dhjetëra predha 20 metra pranë bregut (VIDEO)

Në një kohë që siguria në plazh duhet të jetë e lartë, jo më shumë se një kilometër në veri të qytetit të Sarandës, një turist çek ka zbuluar dhjetëra predha mortajash vetëm 20 metra larg bregut. David ishte në kërkim të një plazhi të qetë por gjeti municionet e rrezikshme.

”Kur i gjetëm për herë të parë ishim duke notuar 20 metra larg bregut. në 4 metra thellësi janë rreth 30-40 predha. U trondita. Mu duken si shishe, bëra video dhe kur i pashë në breg u binda që janë bomba. Janë mjaft afër bregut. Duhet bërë diçka”,- thotë për Top Channel.

David dha menjëherë sinjalin për turistët e tjerë çekë dhe polakë që janë në Shqipëri. Ata kanë krijuar një grup në facebook dhe ndajnë eksperiencat e tyre kur udhëtojnë apo vizitojnë vendet më të pazakonta për turistët e tjerë. David lajmëroi edhe policinë që ditën e diel, por në zonën ku ndodhen predhat e rrezikshme nuk ka asnjë sinjalizim.

Ushtarakët që kanë parë videot e filmuara nën ujë nga turisti cek, thonë se municionet janë të reja dhe jo të luftës së dytë botërore. Ajo mund të jenë marrë nga ndonjë nga reparet ushtarake në zonë gjatë vitit 1997 dhe janë hedhur më pas në det.

SHKARKO APP