Papandreu: Për Syrizan e hapur dera e koalicionit, kurrë me Samaras

Ish-kryeministri grek Jorgos Papandreu, i cili sot garon në zgjedhjet e përgjithshme jo me logon e përjetshme të familjes Papandreu PASOK, por me partinë e tij të re, duke folur me telefon për Ora News tha se dera është e hapur për Syrizan, por kurrësesi për Samaras.

Nesër është dita e madhe për Greqinë dhe ju sapo keni krijuar një parti politike. Cili është objektivi juaj në këto zgjedhje? Sa e zakontë është qe një parti që krijohet në periudhën e fushatës elektorale të pretendojë të ketë sukses? Sa mundësi reale ka te ndodhe kjo?

Ju keni të drejtë. Nesër është një ditë shumë e rëndësishme për Greqinë. Kemi kaluar sfida të mëdha duke u përpjekur të rifutemi në tregje, duke kaluar në kriza financiare. Unë e ndjej se nuk mund ta humbim mundësinë për një dalje të sigurtë nga memorandumi por gjithashtu nuk mund të humbasim mundësinë për të bërë ndryshime të mëdha për Greqinë dhe prandaj unë kam krijuar këtë parti. Një parti që mendon se duhet të bëjmë ndryshime në Greqi, ndryshime të thella sepse kjo është arsyeja pse kemi këtë krizë. Ne kemi krizë sepse kemi një shtet që nuk ka punuar mirë, që ka shpërdoruar para’, që ka rritur burokracitë, ka krijuar shumë klientelizëm, korrupsion dhe shumë para janë shpenzuar jo mirë për shoqërinë tonë dhe kjo ka krijuar defiçitin. Pra, ajo që dua të them është që le të bëjmë këtë ndryshim të madh, reforma të mëdha dhe gjithashtu të negociojmë me anëtarët e Bashkimit Europian për ta ulur borxhin dhe ta bëjmë këtë me referendum që të mund të ndryshojmë vendin tonë. Ky është zëri im dhe dua që zëri im të dëgjohet në këto zgjedhje.

Do ta konsideroni, nëse numrat ju’a lejojnë, një koalicion të gjerë me Demokracinë e Re , PASOK dhe Potami me një kryeminister konsensual, qoftë edhe jashtë këtyre partive për të mos lejuar fitoren e Syrizas?

Personalisht nuk e besoj se do të punojmë me Samaras dhe Demokracinë e Re. Kam punuar me ta në të kaluarën. Shpresoja që të bënim ndryshime të mëdha më koalicionin që kishim për shoqërinë greke dhe shtetin grek, të vendosnim meritokracinë dhe transparencë, të cilat unë doja t’i bëja. Unë bëra ndryshime të mëdha kur isha Kryeministër. Ata i kundërshtuan këto ndryshime. Ata ndërtuan një sistem klientelist. Pra, dua të them se për çdo koalicion ku mund të marr pjesë, duhet të shoh se ka një vullnet për reforma të mëdha, reforma të mëdha që nuk janë bërë, që nga sistemi gjyqësor, sistemi i taksave dhe sistemi politik. Nëse i bëjmë këto ndryshime dhe nëse e bëjmë me referendum, atëherë unë do të mbështes një qeveri me këtë program. Nuk shoh mënyrë tjetër për të punuar me të djathtën.

Pra një derë e hapur për Syrizan?

Është një derë e hapur për Syrizan nëse është serioze. Kam dëgjuar shumë opinione të ndryshme nga Syriza për çfarë ata do të bëjnë. Mendoj se ka shumë kritika për ta. Nëse ata do të duan të qëndrojnë brenda BE apo jo, duhet t’i binden disa rregullave të Bashkimit Europian. Ne sigurisht mund të bisedojmë me ta, mund të gjejmë mënyra për të gjetur zgjidhjet më të mira por thjeshtë të thuash se do të bëjmë çfarë të duam dhe të tjerët të paguajnë për ne, mendoj se nuk është aspak realiste.

SHKARKO APP