Para protestës, Berisha mbledh grupin e PD-së: Me përjashtimin e deputetëve, Rama kërkon konflikt të hapur

Para nisjes së protestës, kryetari Sali Berisha zhvilloi një mbledhje me grupin e tij në PD. Teksa foli për përjashtimin e 8 deputetëve nga punimet e Kuvendit, tha se ky institucion funksionin me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe se Kushtetuta shkelmohet në Parlament. Berisha tha se revolucioni i nisur do të përfundojë kur të dorëhiqet Rama. Po ashtu Berisha nënvizoi se nuk Parlament nuk po respektohen të drejtat e deputetëve të cilët përfaqësojnë 750 mijë qytetarë që i kanë votuar në 25 prill të vitit 2021.

”Ne nisëm një revolucion i cili ka për objektiv madhor, përmbysjen e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, rikthimin e të drejtës së votës së lirë të këtyre qytetarëve si objektivat më madhorë të tij. Në kushtet e monizmit të plotë një nga institucionet më të goditura është parlamenti. Libri themelor i çdo kombi të qytetëruar që është kushtetuta shkelmohet në parlament, dhunohet në parlament. Deputetët e opozitës në parlament janë trajtuar në mënyrën më antikushtetuese.

Të drejtat e tyre janë dhunuar, janë pjesëtuar si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e parlamentit. Për të drejtën e fjalës deputetët janë përjashtuar nga parlamenti, të tjerë në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull shpallen të përjashtuar nga grupi me urdhër të Edi Ramës.

Deputetët e opozitës nuk përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por 750 mijë votues të cilët në zgjedhjet e fundit votuan për forcat opozitare. Të injorosh në këtë mënyrë 750 mijë votues, të sillesh me këtë brutalitet, dhe këtë armiqësi të egër ndaj tyre nuk bën gjë tjetër veç se kërkon konfliktin e hapur. Në këto kushte ne nisëm revolucionin tonë, për ta vazhduar atë në të katër anët e vendit gjer në triumfin e tij. Nuk ka dyshim që parlamenti është një epiqendër jashtëzakonisht e rëndësishme”,-tha Berisha.

SHKARKO APP