Paralajmërimi i fortë i Biberajt për atë që do të ndodhë nëse ndryshon Kushtetuta në mënyrë të njëanshme

Anëtari i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka paralajmëruar se nëse “ndryshohet Kushtetuta në mënyrë të njëanshme, ne do t’i drejtohemi popullit që të marrë fatet e demokracisë në dorë”.

“Nëse ndryshohet Kushtetuta në mënyrë të njëanshme, ne do t’i drejtohemi popullit që të marrë fatet e demokracisë në dorën e tij. Nuk pranojmë asnjë lloj marrje mandati në tavolinë. Kemi mbajtur përgjegjësi për gabimin e vitit 2017, por ai gabim nuk do të përsëritet më”, tha Biberaj.

Sipas tij, “nuk mund të ndryshohet Kushtetuta me urgjencë se ashtu do kryeministri dhe nuk ndryshohet Kushtetuta me vota të blera”.

“Ata janë deputetë që nuk përfaqësojnë popullin, por interesat e veta. Ndryshimet në Kushtetutë duan kohën e vet dhe konsultime të gjera. Nuk mund të sanksionohet në Kushtetutë ndalimi i koalicioneve. Mazhoranca po e bën këtë lojë politike sepse është e vetme në zgjedhje, ndërsa ne si opozitë jemi të bashkuar dhe po rritemi çdo ditë”, theksoi Biberaj.

Biberaj nënvizoi se opozita “nuk ka problem me listat e hapura, por problemi është se nëpërmjet tyre kryeministri kërkon të ndalojë koalicionet, gjë që është në kundërshtim me të gjithë normat e demokracisë”.

“Kryeministri kërkon që të mbajë me zor pushtetin, por unë i rekomandoj që të bëhet gati për të lënë pushtetin dhe për të lënë këto lojra, aq më shumë që për marrëveshjen e arritur në 5 qershor u angazhua edhe faktori ndërkombëtar. Mendoj që jemi në kushte optimale për të shkuar në zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Biberaj për “A2 Cnn”.

SHKARKO APP