Paralajmërimi i Malajt: Nëse nuk heqim dorë nga PPP-të, FMN mund të bllokojë fondet
Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër nismave të ndërmarrë nga qeveria, të tilla si PPP-të dhe amnistia fiskale.
Për ekspertin e ekonomisë Arben Malaj, nëse FMN bën kritika serioze në publik për këto çështje, mund të rrezikohemi që të ngrijnë lëvrimet e fondeve nga donatorët për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.
Në një intervistë përmes Skype në RTV Ora, Malaj tha se FMN ka peshë përcaktuese të qëndrimit të donatorëve nëse duhet ndimuar ose një një vend i caktuar.
Arben Malaj: ”Mosbashkëpunimi me FMN-në nuk është diçka e lehtë. Në momentin kur FMN bën paraljmërime serioze për të ndalur PPP-të, për të mos bërë amnistinë, për të mos çarë financat publike, një nga rregullat e arta në financat publike është që çdo përjashtim është një gropë e zezë. Nëse duam të ndihmojmë të varfërit, të papunët dhe zonat më pak të zhvilluara, duhet të funksionojmë në krahun e shpenzimeve, jo të çajmë sistemin e të ardhurave dhe të kemi më pak të ardhura. Në rastin që FMN bëhet kritike publike, ne rrezikohemi që donatorët që kanë marrë angazhim për të ndihmuar Shqipërinë në rindërtimin e saj, do të ngadalësojnë dhe mund edhe të ngrijnë përkohësisht lëvrimin e fondeve.”
”Në një kohë që ne kemi fonde në dispozicion, thjesht se nuk bashkëpunojmë me institucionet ndërkombëtare dhe bankat e zhvillimit, ne po e thellojmë krizën e pandemisë, dalja nga kriza do jetë më e ngadaltë dhe pasojat do jenë më të rënda. Nuk është thjesht një fjalë nuk e dëgjuam FMN. FMN ka një peshë përcaktuese të qëndrimit të donatorëve për të ndihmuar apo jo një vend, për t’ia dhënë paratë apo për t’ia penguar.”