Parlamenti voton pro Arben Shehut, zgjidhet si kreu i KLSH
Arben Shehu do të jetë kryetar i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kuvendi ka miratuar sot kandidaturën e tij të propozuar nga Presidenti Ilir Meta. Shehu ka marrë 108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim.
Pas votimit, Shehu ka bërë dhe betimin si kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ai falënderoi deputetët e Kuvendit për besimin që i dhanë. Ky është propozimi i katërt që Meta dërgoi në Kuvend për këtë post. Më herët, mazhoranca ka rrëzuar kandidaturat e Vitore Tushës, Bahri Shaqirit dhe Petraq Milos. Arben Shehu ka një eksperiencë 15-vjeçare në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë.