Partia Demokratike homazh për ish-deputetin: Dielli perëndoi sot përgjithmonë për Gerti Bogdanin
”Për Gertin: njeri, demokrat, politikan dhe bashkëluftëtar”, e nis reagimin-homazh Partia Demokratike për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit demokrat, i cili humbi jetën në mënyrë të papritur nga një arrest kardiaku.
“Dielli perëndoi sot përgjithmonë për njërin nga drejtuesit e shquar të Partisë Demokratike, njërin prej politikanëve që i kushtoi vitet më të mira të jetës demokrateve dhe demokratëve”.
Partia Demokratike vlerëson figurën e tij përgjatë gjithë karrierës politike që zuri fill në vitin 2007 kur fitoi si kryetar i Njësisë Bashkiake nr.10 për Partinë Demokratike dhe deri në vitin 2021 ku shërbeu si Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike.
Për Gertin: njeri, demokrat, politikan dhe bashkëluftëtar
Gert Bogdani
7 korrik 1980-18 shtator 2024
Dielli perëndoi sot përgjithmonë për njërin nga drejtuesit e shquar të Partisë Demokratike, njërin prej politikanëve që i kushtoi vitet më të mira të jetës demokrateve dhe demokratëve. Gerti Bogdani u lind në Tiranë, ku mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’. Ai vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Neë York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’.
Bogdani, pas studimeve në Amerikë, u kthye në Shqipëri ku filloi karrierën profesionale si Profesor me kohë të plotë i Shkencave Kompjuterike në University of Neë York Tirana. Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë. Karrierën politike e fillon në vitin 2007, kohë kur kandidoi për Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr.10 Tiranë, duke fituar.
Gjatë kësaj kohe shërbeu si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdoi aktivitetin si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike-FRPD.
Në vitin 2011 u zgjodh zv/President i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, n/Kryetar. Në shtator 2015 u zgjodh Kryetar i IYDU, në Kongresin e zhvilluar në Lisbonë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar me një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare. Prej prillit 2007 deri në shtator 2021 ai shërbeu si Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike.