Partia e Metës protestë më 6 dhjetor para SPAK-ut
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka bërë me dije mbajtjen e një protestë para SPAK-ut më 6 dhjetor. Blushi pati edhe një thirrje për protestën e thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet nesër në kryeqytet, duke kërkuar mbështetje masive nga qytetarët.
”Në 6 dhjetor, në ora 12:00 do të nisim stinën e protestave para SPAK-ut. Mosbindja civile është rruga e vetme për t’i dhënë Shqipërisë paqe politike dhe sociale dhe një zgjidhje politike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Blushi në mbledhjen e PL. Blushi e ka cilësuar Prokurorinë e Posaçme si “koburja kryesore që po përdoret kriminalisht nga Edi Rama kundër opozitës”, që sipas tij e ka shndërruar Shqipërinë ndër të paktat vende në botë me të burgosur politikë.
”Arrestimet politike, fund e krye kriminale, të urdhëruara nga tribuna e Kongresit të PS nga Edi Rama ndaj Presidentit Meta, Z. Berisha, Salianjit dhe Belerit janë prova të pakundërshtueshme për asgjesimin total të reformës në drejtësi, të shtetit të së drejtës dhe të instalimit të një regjimi mafioz. Vendimtare mbetet qëndresa e brendshme e vetë shqiptarëve kundër regjimit, si edhe organizimi i shqiptarëve në Europë, SHBA e kudo për të protestuar dhe për t’u mobilizuar për zgjedhjet e ardhshme”, tha Blushi.