Partitë dorëzuan listat/Celibashi: KQZ-ja ka filluar verifikimin e kandidatëve për deputet
Pas partitë politike dorëzuan listat me kandidatët për 12 qarqet e vendit në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi thekson se institucioni që drejton ka filluar verifikimin e dokumenteve të kandidatëve për deputetë.
”Menjëherë pas dorëzimit të listave shumemërore nga subjektet zgjedhore, KQZ ka filluar verifikimin e dokumenteve të kandidimit. Verifikimi i formularëve të vetë-deklarimit (dekriminalizimi) po bëhet në bashkëpunim me DPGJC dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve“, shkruan Celibashi.
Kryekomisioneri tha edhe se në KQZ kanë depozituar listat shumemërore subjektet zgjedhore: LSI; LRE; LN; ADR; PLDSH; PNTH; PBK; PBD; koalicioni “Aleanca-AL”; koalicioni “ABEOK”; PSD; PS; koalicioni “PD-Aleanca për Ndryshim”
Dje ishte afati i fundit i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike. Të paktën 10 parti kanë mundur të regjistrojnë listat e tyre të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Listat e dy partive kryesore Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u dërguan në limitet e afatit kohor.