Pas diskutimeve mbahet një minutë heshtje për Arben Tafajn në Kuvend, Spiropali: Jo politikë me të vdekurit
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku gjatë seancës së sotme plenare, kërkoi që Kuvendi të mbajë një minutë heshtje në nderim të Arben Tafaj, kryetari i shoqatës “Tirana”, i cili u nda sot nga jeta, reagoi ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili u shpreh se Kuvendi e ka të përcaktuar në rregullore procedurat që ndiqen në një rast të tillë.
Ndërsa u shpreh plotësisht dakord me propozimin për nderimin me 1 minutë heshtje të Arben Tafaj në Kuvend, Balla tha se “nuk duhet të bëhen akte qesharake”. Balla iu referua minutës së heshtjes të kërkuar mëngjesin e sotëm në Kuvend nga kryetari i PD-së Sali Berisha për profesor Sami Repishtin, ndërsa theksoi se “personi që e ka akuzuar për spiun kërkon të mbahet edhe një minutë heshtje”.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh se respekti për të ndjerin e kërkon që të respektohet minimalisht kjo qasje institucionale dhe njerëzore. ”Unë e lejova minutën e heshtjes për Repishtin në mëngjes edhe pse do të kërkonte më shumë solemnitet dhe jo propozimin nga dikush që e ka përdhosur për së gjalli. Ne nuk duam të bëjmë politikë me të vdekurit dhe sa të jem unë këtu, në këtë vend nuk do të bëjmë politikë me të vdekurit. Siç nuk lejova të bëhet politikë në rastin e 14-vjeçarit javën e kaluar ku sërish u kërkua të përdoret një i vdekur në sallën e Kuvendit për politikë dhe më pas heshtja ndaj tij u përdor si baltë për të shumtët këtu’‘, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit kërkoi që të respektohet solemniteti i sallës së Kuvendit dhe rregullorja në mënyrën e propozimit për emra të tillë që meritojnë gjithë mirënjohjen tonë. Në vijim, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi bëri të ditur se bashkë me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kanë rënë dakord që në orën 14:00 Kuvendi të mbajë një minutë heshtje në nderim të Arben Tafaj, dhe kështu ndodhi.