Pas LSI-së, edhe PS-ja apel publik të rinjve që të votojnë
Pas Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka qenë Partia Socialiste ajo që u ka drejtuar sot një apel publik të rinjve për të dalë në votime.
Kështu, nënkryetarja e FRESSH, Maria Myridinasi, nga selia e kësaj partie, u është drejtuar gjithë të rinjve e të rejave, në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Fier, Lushnje e kudo në 61 bashkitë anembanë Shqipërisë që të dalin të votojnë.
“Dita është akoma mjaftueshëm e gjatë që secili prej jush, të marrë me vete një shok a një shoqe, të kapë përdore një të afërm a një mik e t’i drejtohet qendrës së votimit.
Këto janë zgjedhjet tona si kurrë më parë. Sot vendoset jo vetëm për komunitetet ku ne jetojmë, jo vetëm për familjet e prindërit tanë, por edhe për çështjet që prekin drejtpërdrejtë çdo të ri.
Vota juaj sot është një votë që do të vendosë se çfarë mundësish do të ofrojnë nesër për të rinjtë bashkitë e reja. Vota juaj sot është një votë për gjithë ata të rinj që kandidojnë për bashkitë e reja e për këshillat bashkiake e që nesër do të jenë përfaqësuesit tuaj”, apeloi ajo.
Duke shtuar se njerëzit që do të luftojnë për interesat e rinisë, për të vendosur sa kënde sportive, sa qendra rinore, sa mbështetje për sipërmarrjen rinore e për projektet e të rinjve do të ketë nesër.
“Prandaj votoni, votoni, votoni miqtë e mi. Mos e humbisni këtë rast. Ne jemi shumë dhe sa më shumë prej nesh të votojnë aq më e fortë do të jetë kauza jonë”, përfundoi përfaqësuesja e FRESSH-it.
KOHA JONË SONDAZH

