Pas Najada Çomos, kryeministri Rama bën vaksinën anti-covid
Ditën e sotme ka nisur procesi i vaksinimit kundër koronavirusit. Shefja e spitalit infektiv, Najada Çomo ishte e para që mori dozën e parë të vaksinës të kompanisë “Pfizer-BioNTech” . Më pas u vaksinua kryeministri Edi Rama dhe i treti që mori vaksinën ishte mjeku Pëllumb Pipero.
Rama deklaroi më herët se do ta bënte sot vaksinën anticovid, jashtë radhe, në shenjë sensibilizuese për të gjithë skeptikët.
Vaksinimi nisi në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Të parët që do të marrin këtë vaksinë janë punëtorët shëndetësorë, që do pasohen nga policët e shërbyesit e tjerë publikë, si dhe të moshuarit apo grupet që konsiderohen më të rrezikuarat.
Kryeministri Rama deklaroi se qeveria shqiptare ka arritur të sigurojë nisjen e vaksinimit përpara afatit të deklaruar, pasi një vend anëtar i Bashkimit Evropian ka arritur t’i sigurojë Shqipërisë vaksina të tjera shtesë, përtej 500 mijë dozave të siguruara me kompaninë amerikane “Pfizer”. Rama nuk e zbuloi emrin e vendit të BE që dhuroi dozat e para të vaksinës.