Pas nxjerrjes së helikopterit, Kodheli: Të angazhuar për zbardhjen e aksidentit
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka falenderuar të gjithë strukturat e angazhuara në operacionin për nxjerrjen e helikopterit të rrëzuar në liqenin e Shkodrës.
“Falenderoj për përkushtimin dhe profesionalizmin 40 pjesëtarët e FA, polumbarët e Reneas dhe Forcës Detare, Policinë e Shtetit, ekspertët e Eurocopter dhe ata amerikanë, bashkëpunimi i të cilëve bëri të mundur nxjerrjen e trupit të helikopterit të rrëzuar në Liqenin e Shkodrës” shkruan Kodheli në fb.
Ministrja e Mbrojtjes garanton se sëbashku me Prokurorinë mbeten maksimalisht të angazhuar për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Trupi i helikopterit EC 145 po transportohet me mjete të tonazhit të rëndë drejt Shkodrës, për tu nisur më pas drejt kryeqytetit.
Një ditë më parë u gjet kutia e zezë e helikopterit, e cila pritet të japë informacione të rëndësishme mbi shkaqet e ndodhjes së aksidentit që la pas dy të vdekur dhe një të plagosur.
KOHA JONË SONDAZH

