Fillojnë goditjet në PD ndaj Gaz Bardhit: Kryeministrin s’e vendos ai, kandidat do të jetë Sali Berisha!

Nëse vulën e PD-së e mori Berisha,  erdhi pikërisht nga grupi Bardhi-Gjekmarkaj, pasi nuk kishte asnjë shans për Berishën. Por gjykatat, politika, mazhoranca dhe ndërkombëtarët u ndodhën ngushtë sepse deputetët e kryesuar nga Gaz Bardhi kaluan me Berishën dhe ishin shumicë e gjithëpranuar. Deputetët e moderuar dhe të pranuar nga SHBA hodhën idenë se duhet një kandidat për kryeministër që nuk ka akuza dhe që pranohet nga ndërkombëtarët. U tha si nën zë se nuk duhet të jetë Berisha kandidat për kryeministër.

Dhe kjo mund të sillte thithjen e votave gri të elektoratit që nuk duan Berishën, por nuk duan kurrsesi Ramën. Të mos harrojmë se votat e elektoratit gri vendosin se kush fiton pushtetin.

Kur e thanë deputetët jo militantë të Saliut, ky i fundit u përtyp me dinakeri dhe nuk foli. I la të shpresonin se nuk do të kandidonte. Por sapo protesta mbaroi ai nxori deputetin e PD-së, Luan Baçi. Ai ka dalë kundër deklaratave të Gazment Bardhi se Sali Berisha nuk duhet të jetë kandidati për kryeministër i PD.

Baçi thotë se nuk e vendos Gazment Bardhi dhe se deklarata të tilla nga drejtues të lartë në PD janë për të ardhur keq, kjo pasi partia ka një statut. Sipas statutit, tha Baçi, kryetari i partisë do të jetë edhe kryeministër e në rastin konkret është Sali Berisha.

”PD ka një statut dhe parashikon të gjitha zgjidhjet që ka PD. Nuk do të dakordësohesha me propozimin se kryeministri do të zgjidhet pas zgjedhjeve duke e kaluar në votë. Kryetari i partisë është kryeministër dhe për mua ashtu siç është kryetar Berisha, do të jetë edhe kryeministër.

Më vjen keq kur bëhet nga drejtues të PD-së deklarata të tilla. Nuk është në dorë të zotit Bardhi. PD ka një statut për mua këto diskutime nuk duhet të bëhen fare. Berisha kur është pyetur do të zgjidhet nga anëtarësia. Ky është një propozim që duhet të miratohet në Këshillin Kombëtar. Sot që flasim ka një dhe është drejtuesi i PD-së do të jetë dhe kryeministri i vendit”,-tha Baçi.

Dje ishte deputeti Tritan Shehu që tha prerë se Berisha do të jetë kandidati për kryeministër për zgjedhjet e vitit 2025. Duket se diçka po zien në selinë Blu, sepse jo të gjithë dakort me Berishën si zgjidhje për të fituar zgjedhjet.

Por e sigurtë mbetet se Berisha do të vendosë emrin e tij si kandidat për kryeministër. Ai e tha mbrëmë se “Sa herë dëgjuat këto 3 vite se Berishës i ka ardhur fundit, kur në fakt në 3 vite, arritëm nga një grusht opozitarësh në shumicën numerike dhe politike të shqiptarëve”. Pra nuk kanë asnjë shans të moderuarit të ndikojnë për një emër të gjithëpranuar e që mund tju sjellë fitoren.

E sigurtë se po shkojnë krenarë, bashkërisht demokratët, drejt humbjes së sigurtë!

Nëse do të dëgjoheshin Gaz Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj mund të kishte shpresë për të ardhur në pushtet.

Por ky është fati i PD.

 

SHKARKO APP