Pas situatës në Kryesi, Basha ashpërson tonet: Boll me kultin e individit, propozoj listat e hapura
Edhe pse në grupin e PD-së zyrtare në mbledhjen e Kryesisë që zgjati deri në mesnatë pati përçarje dhe dhunë verbale, sot ish-kryetari Lulzim Basha ka rritur tonet. Gjatë një takim me të rinjtë në qytetin e Elbasanit, Basha u shpreh se pala tjetër ka filluar të merret në detajet sa i takon atyre dhe kjo sipas tij do të thotë që u ka hyrë frika.
“Kjo është diçka që është në dorën tuaj, është në dorën tonë. Fakti që merren me detaje tregon që u ka hyrë frika. Jam i vendosur ta filloj këtë përditë në çdo qytet të Shqipërisë. Unë jam në dispozicionin tuaj, por edhe ju duhet të jeni në dispozicion të kësaj kauze për veten tuaj. Të bëjmë të mundur që momentin tjetër kur të shkojmë për të votuar të mos keni si vegël të vetme bojkotin, por të keni mundësi që me votën tuaj të bëni ndryshimin”, deklaroi Basha.
Nga ana tjetër, Basha tha se nuk mundet e keqja me mjetet e të keqes. Ai u shpreh se dy persona kanë 33 vjet që nuk shqiten nga pushteti duke e marrë njëherë njëri dhe njëherë tjetri.
”Nuk mund ta mundim të keqen me mjetet e të keqes. Ne duhet të kemi një mundësi ndryshe për të mundur të vjetrën. Një nga këto mendësi ndryshe është të mos presim nga individ. Boll me kultin e individit. Prandaj propozoj listat e hapura”, tha Basha.