Pas takimit me Kurtin dhe Vuçiç, thirrja nga Borrell: Sa më shpejt zgjedhje të reja në veri
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak zhvilluan në Bruksel takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një konferencë për mediat pas këtyre takimeve, që u mbajtën veç e veç, Josep Borrell tha se bashkë me Lajçak për më shumë se 4 orë, ishin përpjekur që të gjenin një zgjidhje që situata në veri të Kosovës të kthehet në normalitet dhe palët t’i rikthehen dialogut.
“Zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur dhe pas kësaj një moment që situata në terren të normalizohet të vazhdojmë me normalizimin për të vijuar me dialogun. Duhet të kthehemi te implementimi marrëveshje, pa asnjë vonesë”, tha mes të tjerash Borrell.
Ai po ashtu tha se kishte kërkuar nga pala serbe lirimin e menjëhershëm të 3 policëve të Kosovës. Ndërsa nga Kosova kërkoi që pas normalizimit të situatës në terren, të nisë pa vonesa hartimi i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.