Pas tensionit, Berisha rikthehet në Kuvend: Shqipëria, epiqendër e pastrimit të parave të pista nga Europa

Pas tensionit që shkaktoi në mëngjes, ku ”pushtoi” foltoren e Kuvendit dhe nga aty foli LIVE në Facebook, kreu i PD-së, Sali Berisha është rikthyer në seancën plenare dhe tha se Shqipëria është kthyer në shtetin që eksportonte krim në Europë. Për të vendi ynë është një epiqendër e pastrimit të parave të pista në Europë.

”Opozita do të qëndrojë prapa çdo shqiptari që ka një kauzë të drejtë. Sot këtu flitet për Integrimin Europian, në tërësinë e tij për normat, ligjet standartet që zbaton në këtë vend, dua të sjell gjithnjë e më shumë Europë. Por ka ndodhur ajo që është më e rënda. Për fat të keq Shqipëria, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj është shndërruar në një eksportues të frikshëm të krimit në Europë.

Shqipëria e etiketuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si epiqendër e organizatave kriminale të vendeve të Amerikës së Jugut, së Veriut, Emirateve të Bashkuara, po eksporton gjithmonë e më shumë para të pista. Ajo sot me indeksin që kalon me tre herë indeksin e ndërtimeve në vendet nordike është shndërruar sot në vrimën e zezë të kontinentit për larjen e parave të pista.

Sa i përket shtetit ligjor, ju vendosët monizmin e plotë dhe ky monizëm e ka katandisur Shqipërinë 4 vende më poshtë sesa diktatura komuniste e Vietnamit. Ky monizëm e ka katandisur Shqipërinë 53 vende më poshtë se Kosova e lirë dhe e pavarur. Ky monizëm ka vendosur këtu tiraninë e vërtetë të prokurimeve sekrete të cilat janë rritur 20 herë. Ka vendosur praktikat e vjedhjeve të papara në Europë dhe në botë”.

SHKARKO APP