Pas vulës kërkon bashkimin, Berisha mesazh deputetëve të Bashës: Kthehuni në shtëpi

Një ditë pasi Gjykata e Apelit i dha vulës e partisë, sonte Sali Berisha dha një mesazh që ka të bëjë me bashkimin e demokratëve. Nga ballkoni i banesës ku qëndron në arrest shtëpie prej dhjetorit, Berisha ka ripërsëritur thirrjen për bashkim, duke ia adresuar drejtpërdrejtë deputetëve që deri dje përfaqësoheshin, në atë që njihej si PD zyrtare, e drejtuar nga Lulzim Basha.

“Dje theksova dhe sot në emër tuaj dua të ritheksoj edhe njëherë se mesazhi i kësaj arritje është një dhe vetëm një. Është bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi. Miqtë e mi, është bashkimi dhe vetëm bashkimi sepse betejën vendimtare, fitoren vendimtare e kemi përpara për ta arritur.

Kjo kërkon kontributin e çdo demokrati dhe demokrateje. Ndaj dhe edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë demokrateve dhe demokratëve që ndjejnë shpirtin e tyre të pastër, të cilët për një arsye apo për një tjetër, kanë mbajtur qëndrime të tjera, të bashkohen. Të bashkohen me ne! Të kthehen në shtëpinë e tyre.

Bashkimi në diversitet është tipari që fitoi Partia Demokratike pas Rithemelimit. Asgjë nuk mund të ndajë demokratë e betuar për të qenë opozitë e vërtetë. Deputetëve të PD që akoma nuk janë në grupin tonë, thirrja më miqësore, vendi juaj është tek elektorati i PD”,-tha Berisha.

SHKARKO APP