Paskal Milo: Shqipërisë i duhet një e majtë e re. Rilindja nuk është e majtë, por pjesë e oligarkëve
Nga Paskal Milo
Koncepti klasik i luftës politike për pushtet në të gjitha vendet e botës perëndimore me demokraci liberale ka pasur në themel të tij konkurrencën e alternativave dhe programeve të grupimeve të larmishme politike, të quajtura të djathta, të qendrës e të majta. Ndër vite e në përshtatje me zhvillimet e nevojat, platformat tradicionale politike dhe elektorale kanë ndryshuar e janë modernizuar, por pa e kaluar ylberin ideologjik të ndarjes së madhe bllokiste.
Në Shqipërinë e saposhpallur pluraliste të fillimit të viteve ‘90 të shekullit të kaluar kishte një injorancë të plotë të kulturës politike perëndimore. Partitë e reja politike që u krijuan kopjuan ose përshtatën përciptazi programe të partive europiane të djathta e të majta.
Më tepër u bë kujdes për emrat e partive sesa për thelbin e programeve të tyre në kushtet e Shqipërisë të sapodalë nga sundimi i gjatë i një regjimi njëpartiak komunist. Kështu, u themelua në mars 1991 Partia Social Demokrate dhe në qershor të atij viti Partia e Punës e Shqipërisë ndërroi emrin në Parti Socialiste.
Ky ishte veç fillimi i krijimit të së majtës shqiptare në traditën dhe modelin social-demokrat europian, por që vite më vonë u fragmentarizua me themelimin e dy–tri partive të tjera si Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokracia Sociale etj. Pa u zgjatur në histori, aktualisht e majta shqiptare e themeluar në vitet e tranzicionit shqiptar thuajse nuk ekziston.
Procesi i shthurjes së saj nisi në fillim të viteve 2000, kur ajo e ndodhur në pushtet, u miklua nga favoret e tij, u infektua nga korrupsioni dhe humbi frymën demokratike të përfaqësimit të shtresave sociale që duhej të përfaqësonte.
Procesi i transformimit të së majtës shqiptare, veçanërisht i partisë më të madhe të saj, asaj Socialiste, në një organizatë politike pragmatiste dhe eklektike, filloi pas vitit 2005, kur ndodhi edhe ndryshimi në udhëheqjen e saj, largimi i Fatos Nanos dhe ardhja e Edi Ramës në postin e kryetarit të saj. Vitet 2005-2013, që janë vitet e opozitës për Partinë Socialiste, ndonëse u ruajtën formalisht kolonat programore të një partie të majtë, shënuan fillimin e desocializimit të saj programor dhe të “çlirimit” të saj nga vlerat dhe traditat pozitive të trashëguara, që për fat të mirë të saj, identifikoheshin me emrin e partisë.
Jo vetëm rikompozimi i simboleve partiake apo ndryshimi i ngjyrave të flamurit të partisë, por edhe deklaratat e metodat thellësisht personale dhe autoritare të kryetarit të PS-së paralajmëruan “varrosjen” politike të kufomës së vjetër që kundërmonte komunizëm dhe ngritjen graduale brenda saj të një krijese të re që do të kishte në themel të saj vulën dhe botëkuptimin personal të Edi Ramës që nuk kishte asnjë lidhje me konceptet e së majtës moderne europiane.
Pikërisht e jo pa qëllim në këtë kohë, në përgatitje të këtij ndryshimi cilësor, kryetari i partisë më të madhe opozitare deklaronte se ajo nuk ishte as e majtë dhe as e djathtë, se ai personalisht nuk ishte politikan!
Periudha 2005-2013 ka qenë koha e anarkisë politike në koncepte e në veprime e Partisë Socialiste që mbuloheshin nga nevoja e një opozitarizmi të fortë e të domosdoshëm ndaj qeverisjes autoritariste e subjektiviste të Sali Berishës e të Partisë Demokratike.
Për herë të fundit Edi Rama u shfaq formalisht si socialist dhe për herë të fundit para se t’i jepte lamtumirën “gërmadhës” komuniste, alias Partisë Socialiste, ai paraqiti programin elektoral për zgjedhjet e vitit 2013 që ishte edhe ceremonia mortore e saj. “Rilindja”, jo pa qëllim ishte zgjedhur ky emër, ishte gati si strukturë për të zëvendësuar de facto të vjetrën që po varrosej e për të qeverisur vendin.
Socialistët nuk e kuptuan që me votat dhe me duart e tyre varrosën historinë dhe vlerat më të mira të tyre. Largimi i Sali Berishës ishte alfa dhe omega e tyre. Kjo iu dha, dhe jo pa të drejtë, një kënaqësi të madhe të momentit, por nuk menduan se dasma e tyre e fitores elektorale do të ishte njëkohësisht edhe shkurorëzimi përfundimtar i Partisë Socialiste nga legjitimiteti historik si parti e majtë. Rilindja kishte shënuar ditëlindjen e saj. Lindi për të hedhur poshtë trupin dhe frymën ku u mbars dhe doli në jetë. Kishte filluar epoka e saj. Nuk do shumë vëmendje për të kuptuar se cilësia e qeverisjes në raport me premtimet, pritshmërinë dhe ardhmërinë europiane të vendit në këto shtatë vite ka ardhur në rënie.
Bilancet zyrtare të “arritjeve” të qepura në zyrat e administratës publike nuk entuziazmojnë asnjë njeri, madje as edhe ata që i hartojnë. Atmosfera është e mbarsur me shumë pesimizëm e pakënaqësi që ndihet e preket kudo. Veç “mbreti” dhe oborrtarët e tij nuk e shohin ose bëjnë sikur nuk shohin. Përpara janë zgjedhjet e reja parlamentare.
Sido që të shtyhen këto muaj, me ose pa Covid, me premtime të reja, me inaugurime veprash imagjinare, me rritje simbolike pagash e pensionesh, me punësime të përzgjedhura e të përkohshme, në mendjet e shqiptarëve ka filluar të vërtitet pyetja: për cilin do të votojmë? Ushtria e militantëve të strukturave partiake ka kohë që ka bërë radiografinë e re të elektoratit dhe sondazhet e përdyjavshme që matin humorin e tij zgjedhor kanë kohë që kanë filluar.
Retorika dhe sulmet verbale ndaj kundërshtarëve është shumëfishuar. Rrjetet sociale gëlojnë pa fund e në mënyrë të organizuar nga propaganda elektorale. Në thelb nuk ka asgjë të re. Të gjithë, përveç të përkëdhelurve të pushtetit dhe oligarkëve, ankohen e nuk kanë besim. Shqipërisë i duhet një e majtë e re në ide dhe në organizim. Rilindja nuk është e majtë, ajo është pjellë dhe përfaqësuese e oligarkëve, e PPP-ve dhe jo e masës së gjerë, që aq shumë shpresoi në 2013-ën dhe që aq shumë u zhgënjye ndër vite. Koha është tani. Çdo vonesë është humbje. Organizim për t’i rikthyer Shqipërisë një të majtë moderne, europiane, humane dhe të përgjegjshme për fatet dhe sfidat që ajo ka tani e në të ardhmen.