Patozi-Ramës: Kurseji leksionet për demokratët e zhgënjyer, hidhi një sy anijes së lodhur të qeverisë tënde

Astrit Patozi thotë se Edi Rama duhet të mbajë vendin e tij, dhe të mos gëzojë para kohe. Duke marrë shkas nga komunikimi i sotëm i Ramës me demokratët, Patozi thotë se ti kurseji leksionet për demokratët e zhgënjyer dhe ti hidhi një sy anijes së lodhur të qeverisë, e cila për të fut ujë nga të gjitha anët.

Postimi i plotë

Përmbahu, o komandant, edhe pse nuk është kaq e lehtë ta fshehësh gëzimin pas një dhurate, që duket sikur të vjen nga qielli, kur shikon live se si kacafyten mes vedi kundërshtarët e tu politikë.

Por mbaj vendin tënd, se nuk pret kush prej teje t’u tregosh rrugën demokratëve se çfarë duhet të bëjnë me partinë dhe të ardhmen e tyre. Sado të dëshpëruar dhe të pashpresë të ngjajnë sot, për shkak të papërgjegjshmërisë së atyre që i udhëhoqën në përleshjet e djeshme, ata nuk kanë nevojë për sugjerimet e tua.

Madje nuk na shkon të japim këshilla, as ne të tjerëve, që kemi kaluar më shumë se gjysmën e jetës në atë parti, përsa kohë jemi ndarë me hir apo me pahir prej saj. Sepse ti nuk je Ajatollahu i shqiptarëve, edhe pse mund ta ëndërrosh shumë një gjë të tillë. Ndaj shiko punët e qeverisë tënde, shumicën e të cilave i ke katranosur, dhe mos merr përsipër të bësh edhe detyrat e opozitës.

Ata do ta gjejnë vetë drejtimin e tyre, sepse opozita nuk mund të jetë asnjëherë vetëm një seli, një logo, një vulë, e aq më pak halli i vetëm një njeriu apo i familjes së tij. Ajo është mbi të gjitha frymë dhe nevojë e shoqërisë për të shpresuar tek ndryshimi dhe ajo do ta gjejë shumë shpejt, jo vetëm formulën e përfaqësimit, por edhe njerëzit e duhur për ta drejtuar.

Ndaj kurseji leksionet për demokratët e zhgënjyer dhe hidhi një sy anijes së lodhur të qeverisë tënde, e cila fut ujë nga të gjitha anët. Aq sa mund të fundoset edhe pa pasur nevojë fare për topat e kundërshtarit.

SHKARKO APP