”Pazari” i ri mes Bashës dhe Ramës, Bylykbashi: Reformat jo bukë dhe cirk për të qetësuar shpirtra të trazuar

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi, thotë se Edi Rama i ka ofruar Lulzim Bashës shtimin e disa bashkive në hartën territoriale në këmbim të zgjatjes së afateve të dy organeve të Vetting-ut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisoneri Publik. Ai insiston se reformat nuk janë mall shkëmbimi. Për të prioritet politik i PD-së duhet të jetë interesi publik.

”Reformat nuk janë mall shkëmbimi sepse unë besoj që reformat nuk mund të jenë bukë dhe cirk për të qetësuar shpirtra të trazuar. Reformat bëhen për atë që kërkohet të bëhet reforma, jo për të humbur vëmendjen. Vetting-u nuk është çështje reforme, është çështje dështimi reforme. Po a është i vetmi? Jo nuk është i vetmi.

Në qëndrimin tim unë flas për dështimet e suksesshme të reformës në drejtësi sepse nuk është i vetmi. Ne kemi probleme me Gjykatën Kushtetuese, me Gjykatën e Lartë. Gjykatat po mbeten pa gjyqtarë dhe prokurorë dhe ky është qëllimi. Qytetarët do kenë më pak akses te drejtësia.

Prioriteti politik i PD-së duhet të jetë interesi publik dhe kjo fillon me sistemin zgjedhor. Sistemi zgjedhor që kemi ne është shumë toksik për demokracinë dhe duhet ndërruar sepse është bërë në mënyrë të njëanshme dhe është bërë keq. Ne duhet të ndryshojmë ndarjen terrioriale dhe të bëjmë reformën zgjedhore, jo të Kodit Zgjedhor por çfarë rregullash duhet t’i vëmë shtetit që mos ndërhyjë në zgjedhje”,-tha në ”Ora News”.

SHKARKO APP