PBDNJ: Kokëdhima-Rama po bëjnë “gjenocid pronësor”
Partia Bashkimi për të drejtat e Njeriut nëpërmjet një deklarate, i ka kërkuar ndërkombëtarëve që të kthejnë vëmendjen ndaj Himarës sepse deputeti Kokëdhima dhe Kryeministri Rama po synojnë tjetërsim të pronave.
Në prag të javës së Madhe dhe të Shenjte të Pashkës Orthodhokse, por njëherësh edhe të prag çeljes së sezonit turistik, për PBDNJ Dhërmiu dhe gjithë Bashkia e Himarës janë vënë “nën pushtimin” e buldozerëve, skrapeve dhe forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
“Diku me evokim selektiv të ligjit dhe diku të “maliqit”, vjelin haraçe, prishin objekte, tjetërsojnë prona. Kërcënojnë çdo familje individualisht dhe kultivojnë panik kolektiv. Frymëzimet Kokëdhima-Rama të mishëruara në “projekte zhvillimi” për bregun e Jonit synojnë tjetërsimin tërësor të statusit pronësor në dëm të pronarëve të ligjshëm privatë, komunitarë dhe kishtarë”, thuhet në deklaratën e PBDNJ.
Më tej kjo parti ka kërkuar vëmendjen e Kryeministrit Rama, ku i kërkon që të ndërpresë këtë ndërmarrje që prek caqet e një “gjenocidi pronësor”. “I kërkojmë komunitetit ndërkombëtar që të kthejë vështrimin dhe të shikojë se si trajtohet komuniteti historik i Himarës nga qeveria e një vendi kandidat të BE”, thuhet më tej në këtë deklaratë.
R.Sh
KOHA JONË SONDAZH

