PD: Akti normativ dëshmi e dështimit të politikave ekonomike të Ramës
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se kryeministri Edi Rama mashtroi kur foli për rritjen ekonomike, ndërsa reduktoi në fshehtësi buxhetin.
Akti normative për rishikimin e bxhetit tha Tabaku është dëshmia e dështimit të politikave ekonomike të qeverisë.
Jorida Tabaku: “E gjithë kjo situatë, vjen si pasojë e një politike fiskale abuzive që do të sjellë si përfundim kolapsin e plotë ekonomik dhe fiskal të një shteti që vuan nga paaftësia dhe nga abuzimi administrativ. Nuk është çudi që për dy vite me kokëfortësi insistuan që rritja e taksave nuk do kishte ndikim, ndërkohë që informaliteti është rritur në shifra alarmante, kreditimi i ekonomisë ka rënë, depozitat kanë rënë. Për këtë arsye alternativa e propozuar nga ne, alternativa e taksës së sheshtë 9% do të sjellë frymëmarrje për ekonominë, duke i dhënë mundësi biznesit të rigjenerohet nga këto dy vite krize e do ta bëjë Shqipërinë përsëri konkuruese në rajon.
Akti Normativ është dëshmia e dështimit të politikave, të rritjes së taksave, të presionit, të policisë tek bizneset. Ai gjithashtu, është një tjetër sinjal alarmi për një mazhorancë që me arrogancë dhe mendjemadhësi po e çon vendin drejt një gremine ku më të humburit do të jenë qytetarët.
Sipas PD-së akti i Normativ, i miratuar në fshehtësi të plotë, ka vulosur uljen me rreth 25 mld lekë shpenzimet qeveritare.
Jorida Tabaku:“Buxheti i ri do të zvogëlojë me 2.67 miliardë lekë (18%) investimet në ujësjellësa dhe kanalizime, sikundër do të shkurtojë me 1.79 miliardë lekë (8.7%) investimet në infrastrukturën rrugore. Sektori prioritar i bujqësisë, që këtë vit duhet të pësonte një rritje, do të ketë 520 milionë lekë, 26% më pak investime për një nga sektorët që aq shumë përzemër e kishin si mazhorancë. Ndryshe nga se propagandon qeveria se rishikimet nuk prekin prioritetet e kësaj mazhorance, akti normativ do të prekë në mënyrë të drejtë për drejtë, duke përgjysmuar me 50% fondin e investimeve në fushën e shëndetësisë. Duke e ulur këtë fond nga 18 miliardë lekë në 9 miliardë lekë. Investimet në fushën e arsimit, një tjetër prioritet i qeverisë në kontratën me shqiptarët, do të shkurtohen me 36% apo 1.3 miliardë lekë më pak për investime për të rinjtë dhe të rejat në fushën e edukimit.”