PD akuza të forta qeverisë: Rama armiku i bizneseve prodhuese, në vend që t’i ndihmojë u lëshon taksidarët

Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta sot nga qeverisë duke e bërë përgjegjëse për braktisjen e bizneseve vendase gjatë pandemisë dhe çuarjen drejt falimentimit.

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji deklaroi se armiku i vërtetë i biznesit është Edi Rama i cili sipas tij, ka lëshuar armatën e taksidarëve që kanë nisur terrorizimin e biznesit vendas, veçanërisht prodhues.

Ai tha se Rama u mohoi atyre të drejtën legjitime të çdo taksapaguesi për t’iu dhënë ndihmë apo shërbim atë që më herët ua ka marrë me mbi-taksime dhe pasi ua merr taksat, u lë dhe barrën e pagesës së taksave të mëtejshme, pastaj pagat e punëtorëve dhe çdo detyrim tjetër.

Salianji i cilësoi kushtet e garancisë sovrane qesharake dhe të pamjaftueshme. Sipas tij, tatimorë janë lëshuar si xhambazë anë e kënd vendit duke kërkuar me përdhunë taksa dhe duke kërcënuar me faliment ose gjoba të frikshme. “‘Parà ose faliment!’ kjo është motoja e pandershme dhe mafioze që i ofrohet bizneseve nga xhambazët e rilindjes”, deklaroi ish-deputeti i PD.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI
Armiku i vërtetë i biznesit është Edi Rama, njeriu që pasi ka zbrazur arkën e shtetit nga babëzia për të vjedhur taksat e shqiptarëve me koncesione dhe PPP, i është vërsulur bizneseve vendase. Ka lëshuar armatën e taksidarëve që kanë nisur terrorizimin e biznesit vendas, veçanërisht prodhues.

Kjo vjen pasi biznesi dhe të punësuarit në të nuk u ndihmuan nga qeveria përgjatë gjithë pandemisë, madje u përjashtuan nga paketat ndihmëse duke u mohuar atyre të përfitojnë nga paketa e ndihmës qeveritare. Rama u mohoi atyre të drejtën legjitime të çdo taksapaguesi për t’iu dhënë ndihmë apo shërbim atë që më herët ua ka marrë me mbi-taksime. Pasi ua merr taksat, u lë dhe barrën e pagesës së taksave të mëtejshme, pastaj pagat e punëtorëve dhe çdo detyrim tjetër. Në fund gjoja i ofron një garanci sovrane kushtet e të cilës janë qesharake dhe të pamjaftueshme!

Pasi i shmanget përgjegjësisë karshi biznesit dhe qytetarit, në kohë pandemie, i kërkon bizneseve me përdhunë të paguajnë për keqmanaxhimin e tij. I kërkon tatimorëve të sillen barbarisht ndaj bizneseve dhe sipërmarrjeve. Prandaj ato janë lëshuar si xhambazë anë e kënd vendit duke kërkuar me përdhunë taksa dhe duke kërcënuar me faliment ose gjoba të frikshme. “Parà ose faliment!” kjo është motoja e pandershme dhe mafioze që i ofrohet bizneseve nga xhambazët e rilindjes.

PD po merr me dhjetra denoncime nga biznese prodhuese, qe faktojnë represionin e inspektoriateve dhe kërcënimet mafioze të tyre.
Filozofia e Ramës dhe kësaj qeverie po bëhet përditë edhe më e qartë për këdo sipërmarrës, të punësuar apo dhe pensionist. Nuk kanë ndërmend të mbështesin biznesin prodhues vendas, nuk kanë ndërmend të ndihmojnë një punëdhënës të rëndësishëm dhe me peshë. Jo! Ata nuk mendojnë se shqiptarët kanë të drejta dhe se duhet të punojnë. Ata duan vetëm të përfitojnë dhe abuzojnë.

Prandaj, Rama në vend që të lehtësonte nga taksat, të subvenciononte prodhimin dhe të ndikonte për shtyrjen e kësteve të kredisë për të ndarë sakrificën e biznesit po i kërcênon, gjobit dhe mbyt me shkresa dhe bllokime!

Miliona Euro shpërdorohen në tendera dhe PPP, në vend të ndihmohen sipërmarrjet për të hapur vende pune, për të sjellë zhvillim, punësim dhe mirëqenie!
Qeveria Rama është armikja e biznesit dhe sipërmarrjes!

Ne do të mbajmë shënim emrat e atyre që sot gjezdisin me bllok kërcënues në dorë duke u prerë të drejtën familjeve shqiptare për të ardhura. Shqiptarët nuk do të tremben dhe as do të kërcënohen nga mafiozët që u vendosin lakun në fyt gjithnjë e më shumë shqiptarëve. Askush nuk mund të detyrojë shqiptarët të paguajnë me gjakun dhe djersën e tyre harbimin pushtetar.

Ata e kanë të qartë se kush është kryefajtori. Por dhe ne nuk do të harrojmë të çojmë përpara përgjegjësisë ato që sot fshihen pas urdhrit. Kjo nuk është një deklaratë hakmarrëse, por është zotimi për të vendosur drejtësinë dhe rendin përpara shumicës së heshtur. Atyre që kontribuojnë në heshtje në mirëqenien tonë.

SHKARKO APP