PD ankimon zgjedhjet në 9 qarqe, Kaso: Betejë në të gjitha fushat dhe frontet
Sekretari për çështjet zgjedhore në selinë blu, Ivi Kaso, ka folur për ankimimin që Partia Demokratike bëri për rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit në 9 qarqe, ku përjashtoi djegien e mandateve të opozitës dhe theksoi se beteja e saj do të vijojë në të gjitha frontet.
”Hapi i parë është ekspozimi ndaj çdo paligjshmërie dhe beteja jonë për zbardhjen e masakrës zgjedhore është e një rëndësie të veçantë dhe pas saj do vijnë propozimet konkrete. Nuk kemi folur për djegie mandatash, por për betejë në të gjitha fushat dhe frontet. Nuk kemi pasur asnjë iluzion që kjo qeveri do të vidhte zgjedhjet, por është detyra jonë që të jemi me kapacitete më të mira. Ne jemi mandatuar me numër rekord votash për të bërë atë që PD-ja do të bëjë më mirë, që është përballja në çdo fushë dhe betejë. Dhe nëse beteja e radhës do të jetë në parlament ne do marrim përgjegjësitë tona”,-tha për A2cnn.
Nga ana tjetër, ai kërkoi nga organet ligjzbatuese që të shqyrtojnë me paanësi të gjitha shkeljet e depozituara nga PD-ja për procesin zgjedhor dhe të shpallet pavlefshmëria e zgjedhjeve, atje ku ka shkelje. Kaso pranoi vështirësitë në mbledhjen e provave për shkeljet zgjedhore dhe tha se pret nga organet ligjzbatuese që të bëjnë transparencën e çdo dosjeje.
”Nuk ka qenë e lehtë të administroheshin të gjitha provat për shkak të frikës që njerëzit kanë nga pushteti, se ky pushtet ka përdorur të gjithë mekanizmat për të shantazhuar dhe trysnuar qytetarët, ka qytetarë që gjejnë kurajon për të denoncuar në mënyrë të fshehtë, për të zbutur pasojat e persekutimit të tyre. Kjo është faza, ne i kërkojmë KAS administrimin e një sërë provash që nuk mund të viheshin në dispozicionin tonë. Kemi një eksperiencë jo të mirë me institucionet ligjzbatuese. Kemi bërë më shumë se 50 kallëzime penale në SPAK vetëm në fushatë elektorale dhe vepra që lidhen me zgjedhjet dhe nuk kemi reagim, shpresojmë në ditët në vijim se shpresojmë që çështjet janë në hetim. Nisur nga kjo eksperiencë që nuk prodhoi efektshmëri në kohën e duhur. Kemi një pritshmëri që do performojë se këto çështje kërkojnë një hetim të shpejtë. Organet e reja nuk mund të jenë krejtësisht aktivë. Pres që të ketë një reagim të tyre për raste flagrante dhe të rënda. Jam i hapur për bërjen transparente të çdo dosjeje”,-tha më tej.