PD, Bardhi: Përshëndesim vendimin e Metës për të kallëzuar Dvoranin

I ftuar në Syri TV, përballë gazetares Armela Ferko, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka përshëndetur vendimin e presidentit të Republikës Ilir Meta për të kallëzuar penalisht kryetarin e Komisionit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Sipas Bardhit, kreu i KED ka kulturë nën zero në respektimin e Kushtetutës.
“Ardian Dvorani duhet të shkarkohet nga detyra e anëtarit të Gjykatës së Lartë, edhe pse qëndron në mënyrë flagrante në atë detyrë. Por mesa duket edhe veprimtaria e tij në krye të KED, Ardian Dvorani ka kulturë nën zero për respektimin e Kushtetutës. Një njeri politik që nuk respekton ligjin dhe kushtetutën.

Që tregon se veprimet e këtij personi kanë detyruar presidentin të ndërmarrë këtë akt të paprecedentë dhe të rrallë, por dinjitoz për mënyrën se si duhet të veprojë një shtet ligjor”, shtoi Bardhi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Bardhi i është rikthyer edhe një herë “betimit” të Arta Vorpsit. Sipas tij, zonja Vorpsi, me aktin e djeshëm është ekspozuar si militante partiake.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Është betuar në shtëpi para burrit, ose në selinë e Partisë Socialiste, dhe këtë deklaratë e ka çuar për ta legalizuar firmën te noteri. Sot duke injoruar institucionin e presidentit dhe ti drejtohet 4 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese “më jepni mandatin”. Kjo e bën të njëjtë me sjelljet e Taulant Ballës. Është provë e patjetërsueshme, e ekspozon atë si militante partie”, u shpreh Bardhi.

Sa i përket rezolutës së sotme, që mazhoranca miratoi në Kuvend, Bardhi u shpreh se, është diçka e pavlerë, me gafa të mëdha dhe e pazbatueshme ligjërisht për asnjë institucion.

“Rezoluta e sotme e Parlamentit ka të njëjtën vlerë me qëndrimet e mia në selinë e PD. Nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe tregon për një kulturë mjaft të rrezikshme të kësaj qeverie mbi institucionet shtetërore. Në një akt të paprecedentë, Kuvendi i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese të mos njohë dekretin e presidentit. Presidenti nuk është vartës i Kuvendit, as Gjykata Kushtetuese. Nuk mundet Kuvendi të cënojë ndarjen e pushteteve. Gjykata Kushtetuese nuk është Arta Vorpsi. Nuk merr as porosi, as urdhra nga Kuvendi”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?