PD bllokon nesër rrugët, Policia: Kush pengon lëvizjen, do të përballet me pasoja

Paralajmërimi i Policisë së Shtetit për protestën e nesërme të thirrur nga Partia Demokratike, është se kushdo që do të bllokojë rrugët do të përballet me pasojat. PD ka njoftuar bllokimine disa akseve të rëndësishme rrugore. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat Policia njofton se bllokimi i akseve rrugore është vepër penale, teksa u ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

“Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njofton Policia.

Policia e Shtetit njofton se ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. Qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit, me qëllim daljen jashtë vendit, duhet që për shkak të trafikut që mund të krijohet, të arrijnë në aeroport para orës 17:00, ose të përdorin rrugët alternative për të mbërritur në kohë.

Sipas Policisë përfaqësues të Partisë Demokratike kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 29.10.2024, në disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë-Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan-Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

“Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve. Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private”, vijon njoftimi. Policia e Shtetit apelon për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.

SHKARKO APP