PD, Boçi: Drejtorët e shkollave po mbledhin të dhënat personale të prindërve
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka denoncuar se drejtorët e shkollave kanë urdhëruar mësuesit të mbledhin të dhënat personale të prindërve. Ai denocoi se drejtori i shkollën “Onufri” në Elbasan, Ervin Goxhaj, me urdhër politik politik u ka kërkuar mësuesve të mbledhin kartat e identitetit të prindërve. Boçi theksoi se asnjë makinacion i paligjshëm nuk e shpëton Ramën nga humbja e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. ”Prandaj ndodhem në shkollën “Onufri” më Elbasan. Drejtori i kësaj shkolle, Ervin Goxhaj, me urdhër politik dhe të paligjshëm u ka kërkuar mësuesve të mbledhin kartat e identitetit të prindërve. Ky është një grup online i një klase në këtë shkollë, ku, në vend të ndahet shqetësimi për mësimin e cunguar dhe pa kushte, nxënësve u kërkohen kartat e identitetit të prindërve, sepse Edi Ramës dhe Taulant Ballës nuk i dalin llogaritë”, u shpreh ndër të tjera Boçi.
Deklarata e plotë
Këto ditë kanë qenë të mbushura me denoncime nga mediat, të cilat kanë sjellë fakte, dëshmi dhe prova rreth përpjekjes së Partisë Socialiste për të deformuar votën e qytetarëve. Me urdhër të Edi Ramës është angazhuar çdo hallkë shtetërore në një operacion të paligjshëm që angazhon administratën publike në fushatën e pistë të partisë në pushtet. Nuk është vetëm përpjekja e dështuar me manipulimin e listave përmes zhvendosjes së votuesve në të gjithë Shqipërinë, nuk është vetëm mbledhja e kartave të identitetit me urdhrat e paligjshëm të drejtorëve të spitaleve, siç pamë në Peshkopi.
Në lojë kanë hyrë edhe drejtorët e shkollave, të cilët janë disa militantë që nuk punojnë për të mirë e nxënësve, por i shërbejnë partisë shtet. Drejtorët e shkollave janë urdhëruar të marrin të dhënat personale nga prindërit e nxënësve. Prindërve u është kërkuar në grupet e whatsapp -it që të dërgojnë foto të kartave të identitetit, me justifikimin e teksteve mësimore. Ky është një keqpërdorim skandaloz që u bëhet shkollave, është një politizim i dëmshëm i qendrave të dijes, të cilat po kthehen në organizata partie. Prandaj ndodhem në shkollën “Onufri” më Elbasan. Drejtori i kësaj shkolle, Ervin Goxhaj, me urdhër politik dhe të paligjshëm u ka kërkuar mësuesve të mbledhin kartat e identitetit të prindërve.
Ky është një grup online i një klase në këtë shkollë, ku, në vend të ndahet shqetësimi për mësimin e cunguar dhe pa kushte, nxënësve u kërkohen kartat e identitetit të prindërve, sepse Edi Ramës dhe Taulant Ballës nuk i dalin llogaritë. Komunikimet elektronike që provojnë këtë ne i disponojmë dhe Drejtori i kësaj shkolle do të çohet menjëherë për ndjekje penale. Kjo do të ndodhë me këdo që do të guxojë të vjedhë identitetin e votuesve shqiptarë përmes mekanizmash të fëlliqur dhe presionit ndaj mësuesve.
Nga Elbasani, i kërkoj Ministres së Arsimit të ndërpresë këtë praktikë që, së pari, turpëron atë vetë si pedagoge që ka dhënë mësim në Elbasan. Të mos u sigurosh nxënësve kushte normale për mësim apo kushtet minimale të sigurisë për shëndetin, por t’u kërkosh më dhunën e pushtetit të dhëna personale për llogari të partisë në pushtet, është kriminale. Asnjë skemë e tillë, asnjë makinacion nuk e shpëton dot Edi Ramën nga humbja. Numërimi mbrapsht për të ka filluar.