PD: Dekriminalizimi do të bëhet me çdo kusht
Partia Demokratike ka theksuar sot se, dekriminalizimi është interesi më i lartë publik, dhe do të bëhet me çdo kusht.
“Qytetarët shqiptarë, partnerët ndërkombëtarë dhe Partia Demokratike e kanë të palëkundur vullnetin për të shpëtuar vendin nga sundimi i krimit”, tha sot Sekretari i Burimeve Njerëzore në këtë parti, Fatbardh Kadilli.
“Edi Rama u shfaq sot sërish kundër dekriminalizimit, duke i shtuar avokatisë së tij për inkriminimin edhe shpifje të ulëta. Partia Demokratike nuk pret që Edi Rama, i cili u hapi banditëve, tutorëve e vrasësve dyert e pushtetit, të administratës dhe të Parlamentit, të jetë në favor të dekriminalizimit. Ne nuk presim që Edi Rama të jetë në favor të interesit jetik të vendit që është çlirimi i politikës dhe zyrave nga të inkriminuarit. Dekriminalizimi sjell në fakt fundin e skemës politike të Edi Ramës, rrëzon patericën ku ai mbahet”, tha Kadilli.
Sipas tij, “nuk ka si të jetë pro dekriminalizimit një kryeministër që fsheh letrat e Interpolit për deputetin e tij që kërkohet për vrasje, dhe që ndikon drejtësinë për të dhënë pafajësi për vrasje, të gjitha këto për të mbyllur paktet e hesapet e tij dhe të ortakut Meta”.